BLOG, 3 Maj 2022, 10:07

Çfarë i nxit ushtritë të kryejnë masakra ndaj popullatave civile?

Çfarë i nxit ushtritë të kryejnë masakra ndaj

Ndërsa tërheqja e forcave ruse nga UkrainaVeriore po zbulon prova të ekzekutimeve masive të civilëve në zona si Bucha, një rëndësi të madhe ka marrë pyetja se çfarë i nxit ushtritë të kalojnë në brutalitetin e krimeve të luftës dhe masakrave.

Nuk është ende e qartë se cilat nga mizoritë në Ukrainë janë urdhëruar nga lart, siç sugjerojnë raportet mbi listat e zeza që kishin përpiluar rusët, dhe cilat janë urdhëruar nga komandantët lokalë apo janë kryer nga ushtarë ose grupe të veçanta.

Në luftë, kjo e fundit ndodh shpesh për shkak të lejimit në mënyrë të heshtur të elitave. Edhe pse të gjitha luftërat përfshijnë në një farë mase akte brutale, disa ushtri, siç janë forcat aktuale ruse, janë shumë më të prirura për të kryer mizori. Në thelb të gjitha luftërat për nga natyra e tyre, kanë në përmbajtje një masë mizorie.

Siç vinte në dukje gjenerali prusian Karl Von Klauzeviç, nga vetë natyra e saj lufta si një akt force e shtyn secilën palë në ekstreme brutaliteti. Por për disa ushtarakë, aktet e dhunës kundër civilëve dhe krimet e tjera të luftës janë devijime, pra momente kur brutaliteti i natyrshëm i luftës i thyen barrierat institucionale dhe kulturore të krijuara për t’i drejtuar dhe kontrolluar ata.

Ushtarët e tjerë duken të paaftë për të ndihmuar veten e tyre, duke masakruar civilët kudo që të shkojnë, edhe pse duke bërë vazhdimisht diçka të tillë ata dëmtojnë qëllimet e tyre të përgjithshme strategjike.

Historianët e së kaluarës së afërt dhe asaj të lashtë, kanë identifikuar modele të qarta se cilat lloje të ushtrive degradojnë plotësisht në brutalitetin e luftës. Mizoritë nuk ndodhin thjesht, dhe as nuk janë tipike për ndonjë vend të caktuar. Përkundrazi, ato janë produkt i kulturës organizative, vendimeve komanduese dhe i një strukture institucionale, e cila e mbron një ushtri nga kontrollet civile ose përgjegjësia.

Një nga faktorët që mund ta nxisë prirjen e një ushtaraku drejt masakrave, është disiplina brutale brenda organizatës ushtarake. Dhuna e ushtruar rregullisht nga lart poshtë, verbale dhe fizike, dhe ushtarët si viktima të saj shfryjnë dufin ndaj civilëve të pafajshëm.

Ushtria Perandorake Japoneze është një rast i tillë. Trajnimi dhe sjellja shumë e dhunshme dhe represive ndaj rekrutëve, ishte e tillë sa sipas historianit japonez Saburo Ienaga “dinjiteti dhe burrëria e ushtarëve ishte cënuar aq keq, saqë vështirë se ata do të përmbaheshin nga të bërit të njëjtën gjë ndaj personave të pambrojtur”.

“Tek e fundit, ata thjesht po zbatonin atë që kishin mësuar në trajnimin bazë”- thekson ai.

Kultura organizative e ushtrisë japoneze në atë kohë e vine theksin tek një shkallë të lartë të “e distancimit të pushtetit” midis eprorëve dhe vartësve, ku rekrutët i nënshtroheshin një trajtimi shumë të ashpër.

Dhe kur ata u vendosën në një pozicion pushteti mbi civilët e paarmatosur, përsëritën të njëjtin model me pasoja katastrofike. Historiania Izabel Hull dokumenton një dinamikë të ngjashme brenda Ushtrisë Perandorake Gjermane. Vënia e theksin tek “kadavergehorsam”, ose “bindja si një kufomë ndaj eprorit”, lindi nga përpjekja për t’i dhënë fund kaosit të pashmangshëm të operacioneve ushtarake, nëpërmjet një rendi ekstrem të imponuar nga dhuna.

Kjo u zgjerua në një “pritshmëri jorealiste të rendit të përsosur” në zonat e pushtuara që kur dështoi në mënyrë të pashmangshme, u përforcua nga raprezaljet dhe ndëshkimet brutale, të justifikuara si domosdoshmëri ushtarake, madje edhe kur dhuna u përshkallëzua në një shkallë të tillë sa që dëmtoi edhe vetë objektivat ushtarake.

E njëjta dinamikë mund të vërehet edhe në Spartën e lashtë. Sistemi spartan për rritjen e djemve qytetarë, agoge (progfram i rreptë trajnimi), ishte një ritual ku djemtë liheshin qëllimisht pa ngrënë, inkurajoheshin që të vidhnin, por rriheshin fort nëse kapeshin, dhe detyroheshin të disiplinonin me dhunë djemtë më të vegjël.

Dhe rezultati ishte se jashtë Spartës, spartanët iu drejtuan dhunës si ndaj miqve po ashtu edhe ndaj armiqve, duke e çuar hegjemoninë spartane në kolaps që para se të fillonte, pasi udhëheqja brutale dhe e paaftë spartane, e modeluar sipas jetës në agoge, u armiqësua si me aleatët ashtu edhe me armiqtë.

Megjithëse kultura organizative midis ushtarëve është qartazi një faktor ndikues, më vendimtare janë vendimet e komandës dhe rrjedhimisht edhe kultura strategjike midis oficerëve. Ushtritë e prirura për mizori, nuk janë pasojë e ushtarëve të padisiplinuar që u dalin nga kontrolli oficerëve të tyre, por më tepër i ushtarëve të bindur që ndjekin komandat brutale të oficerëve të tyre.

Hull e dokumenton shumë mirë këtë cikël, për shembull në shtypjen brutale të gjermanëve ndaj popullit Herero në Afrikën Jugperëndimore (1904-1907), në Namibinë e sotme.

Zhgënjimi nga dështimi i ushtrisë gjermane për të arritur një fitore vendimtare dhe përfundimtare në Vaterberg (gusht 1904), çoi në brutalitet të përshkallëzuar kur komandanti Lotar Von Trota, autorizoi zbatimin e një politike të shfarosjes në masë. Së fundi, ushtritë e prirura për masakra priren të mos kenë kontrolle të jashtme efektive mbi kulturën apo sjelljen ushtarake. Ushtria Perandorake dhe Marina Japoneze e përmbysën kontrollin civil përmes një sërë atentatesh dhe përpjekjesh për grusht shteti në vitet 1930. Ndaj ushtria ishte në gjendje të niste edhe luftëra të mëdha pa një mbikëqyrje efektive nga administrata civile.

Po kështu, edhe Ushtria Perandorake Gjermane ishte siç vëren Hull, kryesisht e mbrojtur nga mbikëqyrja civile nga struktura politike e Perandorisë Gjermane, e cila e zvogëloi ndikimin  e Rajhstagut mbi ushtrinë kryesisht përtej ndikimit të Rajhstagut.

Elementë të të njëjtit model janë të dukshëm edhe tek Forcat e Armatosura Ruse. Para kësaj lufte, ka qenë i mirë-dokumentuar problemi i ngacmimit dhe dhunës ndaj rekrutëve në ushtri, një dukuri e njohur si “dedovshchina”. Po ashtu vendimet e komandës ruse krijuan një strukturë të qartë lehtësuese për akte të mëtejshme brutale.

Që përpara pushtimit, inteligjenca amerikane paralajmëroi se forcat ruse kishin një “listë të zezë” për ukrainasit që do të vriteshin ose do të dërgoheshin në kampe, përfshirë gazetarët, aktivistët dhe minoritetet. Krematoriumet e lëvizshëm në një pushtim që ata prisnin të ishte i shpejtë dhe relativisht i lehtë, tregojnë për shkallën e vrasjeve që kishin ndërmend të kryenin pas pushtimit.

Ndërkohë, kultura e brendshme e ushtrisë ruse dhe krenaria e vendit në axhendën ideologjike të Putinit, e bëjnë atë imun ndaj kritikave efektive ose mbikëqyrjes civile. Forca e vetme që e monitoron ushtrinë janë shërbimet e sigurisë, të cilat janë të përkushtuara ndaj besnikërisë ndaj Putinit dhe jo ndaj respektimit të ligjeve të luftës.

Ashtu si me shembujt e mësipërm, sjellja mizore është bërë një normë tashmë për ushtrinë ruse, nga Çeçenia në Siri, dhe tani edhe në Ukrainë. Ashtu si gjermanët në Afrikën Jugperëndimore, kur ngeci përparimi i rusëve dhe u zbeh perspektiva e një fitoreje të shpejtë dhe vendimtare, komandantët rusë reaguan përmes  përshkallëzimit të brutalitetit duke bombarduar qendrat urbane me bomba thërrmuese dhe me armë të tjera të rënda.

Por siç e ka treguar shpesh historia, edhe masakrat ruse ndaj civilëve në Ukrainë, do të jenë ushtarakisht joefektive. Ato do ta forcojnë vendosmërinë e Ukrainës për të rezistuar, dhe vendosmërinë ndërkombëtare për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusinë dhe për ta mbështetur Ukrainën.

Shënim: Bret Devereaux, është një historian i specializuar mbi ekonominë dhe ushtrinë romake. / “Foreign Policy” – Bota.al