BLOG, 28 Prill 2022, 13:21

“Si e ngriti Enver Hoxha rrjetin e spiunazhit në Kosovë!”- Historiani i njohur zbulon prapaskenat: Informacionet nga Jugosllavia vileshin për llogari të…

“Si e ngriti Enver Hoxha rrjetin e spiunazhit në Kosovë!”-

Pas prishjes së Titos me Stalinin në vitin 1948, ishte më se e pritshme që edhe Shqipëria të kthente pllakën dhe të shkëpuste marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në bisedime mes Tiranës dhe Moskës, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe ambasadori sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin, kishin diskutuar mundësinë e krijimit të një force ushtarake për të përmbysur Titon.

Mehmet Shehu e kishte bërë të qartë, kryengritja e armatosur do të niste nga Kosova. Për të krijuar terrenin e nevojshëm, Shqipërisë i duhej më parë të krijonte një rrjet spiunazhi në Kosovë dhe Jugosllavi. Kështu ndodhi që Enver Hoxha filloi të rekrutonte të rinj nga shqiptarët e Maqedonisë, për t’i trajnuar dhe për t’i hedhur më pas në terren.

Në librin e tij “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001”, historiani James Pettifer tregon si nisi të krijohej ky rrjet dhe arsyet e dështimit. Pettifer na sjell historinë e njërit prej të infiltruarve, Zijadin Qiras, i cili fatkeqësisht nuk arriti ta çonte deri në fund misionin e tij dhe të kryente dënimin prej 12 vitesh në burgjet e Jugosllavisë. Pas dënimit, ai mërgoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkroi dhe librin “Qelia 31” (“Cell number 31”), ku tregon vuajtjet në burgjet jugosllave.

NGA JAMES PETTIFER

Jeta aventurore e një njeriu të tillë si Zijadin Qira ilustron paradigmën enveriste për Kosovën në ato vite dhe përpjekjet e Tiranës për të filluar ndërtimin e një platforme brenda Kosovës për një kryengritje të ardhshme. Qira lindi në vitin 1932, në fshatin Veleshtë, në Maqedoni, rreth 13 kilometra në veri të Strugës dhe vetëm tetë kilometra larg kufirit me Shqipërinë. Në ditët e sotme, Veleshta shtrihet mes fushave të rregullta me misër, mu poshtë vendkalimit të Qafë-Thanës dhe ka një reputacion të rrezikshëm si qendër e kontrabandës dhe e tregtimit të paligjshëm.

Të afërmit e Qiras kishin qenë zyrtarë të ulët otomanë në Strugë dhe në Ohër dhe disa ishin larguar në Turqi në periudhën ndërmjet luftërave. Vendbanimi mbi kodër ndodhej mu poshtë vendkalimit kufitar midis dy vendeve.

Veleshta ka një histori të dhunës dhe të shpërnguljes së popullsisë, që daton shumë herët, përpara Luftës së Dytë Botërore. Pasi Ushtria serbe mori kontrollin e Ohrit në Luftën e Dytë Ballkanike, në vitin 1913, dhe dëboi bullgarët, qindra shqiptarë, në veçanti ata me pozitë të lartë në sistemin otoman, ikën nga Ohri dhe Struga për të gjetur strehë në kodrat dhe për t’u hapur rrugën kolonëve të rinj ortodoksë jugosllavë.

Shumë nga këta njerëz ishin veteranë të Ushtrisë serbe, të shpërngulur aty nga Beogradi mbretëror, të cilëve u dhanë tokë nga çifligjet e vjetra otomane në veri të liqenit të Ohrit, sipas modelit romak të kolonizimit ushtarak. Shqiptarët myslimanë shpejt u bënë të padëshiruar në Ohër dhe Veleshta u zgjerua, nga një komunitet i vogël pastoral, në një fshat të madh të të dëbuarve të Ohrit në ato vite.

Këta refugjatë të deklasuar dhe të izoluar në vendin e tyre, shpesh me origjinë nga sëra e bejlerëve ose e agallarëve, ishin shumë të hapur ndaj ideve radikale, qofshin ato nacionaliste apo komuniste, pak a shumë si në Greqi, ku refugjatët e Azisë së Vogël, pas vitit 1922, përbënin një komponent jashtëzakonisht të madh të lidershipit fillestar të Partisë Komuniste Greke (KKE).

I njëjti proces ndikoi gjithashtu edhe te zyrtarët ish-otomanë dhe pronarët e tokave në jug të Shqipërisë, kësisoj liderë të spikatur komunistë nga jugu, si Adil Çarçani, vinin nga këto rrënjë të pronarëve të shpërngulur otomanë. Në kohën e shpërbërjes së okupacionit të Boshtit, Qira ishte një i ri idealist, i cili donte të luftonte për liri. Ai u takua fillimisht me partizanë shqiptarë në malet përmbi fshat dhe më pas, në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, shkoi në Tiranë për të studiuar në Akademinë e re Ushtarake që kishin hapur komunistët. Njësitë partizane shqiptare operonin pranë kufirit dhe po rekrutonin shqiptarë të Maqedonisë nga fshatrat. Qira kishte qenë dëshmitar i masave ndëshkimore kundër popullsisë vendëse shqiptare nga Brigada IV Bullgare në vitin 1944, në të cilën u vranë mbi tre mijë shqiptarë nga zona e Strugës.

Fillimisht në vitet 1946-47, pikëpamjet radikale antiserbe dhe antijugosllave i sollën rrezik në Tiranë dhe ai mund të ketë mbijetuar vetëm për shkak të kontakteve që kishte me familjen e Liri Belishovës, gruaja komuniste me pozitë të lartë në Tiranë, anëtare e Komitetit Qendror dhe një heroinë partizane shqiptare. Por, kur erdhi prishja e Jugosllavisë me Stalinin në vitin 1948, pikëpamjet e deritanishme radikale antijugosllave të Qiras u kthyen në dituri tradicionale në Tiranë dhe, në një nga zigzaget e tij të shumta në politikë, Hoxha e përkrahu kauzën e Kosovës deri diku, në orën më të errët të saj. Si një rreng për të siguruar një histori mbrojtëse, Zijadin Qira ishte pjesë e një grupi në Akademinë Ushtarake, i përzgjedhur për të komanduar krijimin e celulave për të inskenuar një “revoltë” kundër Enver Hoxhës dhe në favor të pikëpamjeve të Titos. Kjo gjë do të publikohej dhe të ekspozohej më së miri në shtypin e partisë në Tiranë. Më pas, ai do të “arratisej” në kufirin me Jugosllavinë, ku do të kërkonte azil politik.

Me të shkuar në Kosovë, ai do të bënte çdo përpjekje për të depërtuar në Policinë e sigurisë dhe do të bëhej një agjent sekret i Tiranës. Në klimën e represionit të thellë që ekzistonte në atë kohë dhe me efikasitetin e aparatit të sigurisë jugosllave, kjo ndërmarrje ishte e destinuar, në mënyrë të pashmangshme, për të përfunduar keq dhe, në vitin 1951, Qira u arrestua dhe u fajësua për spiunazh nga një Gjykatë ushtarake, e cila e dërgoi me burgim afatgjatë. Në pamje të parë mund të duket se kjo kishte qenë një përpjekje donkishoteske, tepër ambicioze dhe e keqplanifikuar. Megjithatë, ajo fillon të përcaktojë shembullin për thuajse të gjithë aktivitetin e ardhshëm kundër Jugosllavisë, të organizuar nga Shqipëria deri në vitet ’90. Në vitet ’50, superfuqia në sfondin e aktivizimit shqiptar ishte Rusia, në vitet ’90 ishin Shtetet e Bashkuara.

Enver Hoxha mund të siguronte informacione sekrete në terren për të fituar favor te mbështetësit e tij superfuqi. Me kalimin e viteve ’50 pati një ndryshim të theksit, me prioritetet e spiunazhit të Tiranës për llogari të Moskës, që po i prishnin të gjitha përpjekjet për të ndërtuar një ushtri të rezistencës.

Megjithatë, ideali i një ushtrie kosovare nuk u shua asnjëherë. Gjyqi i vitit 1956 për spiunazh në Prishtinë hyn në këtë paradigmë, edhe pse është e dyshimtë nëse Noel Malcolm ka të drejtë kur thotë se kishte pak prova për aktivitet hoxhist në këtë ngjarje.

Në një gjyq që kuptohej se bëhej për demonstrim, autoritetet jugosllave arrestuan dhe burgosën disa kosovarë të mirënjohur, që pretendohej se gjoja punonin me shërbimin sekret shqiptar.

Si rrjedhojë, ata kryen dymbëdhjetë vjet në burg. Për një vend jopopullor dhe të rrethuar si Shqipëria, spiunazhi ishte i rëndësishëm, i ngjashëm me pozitën e disa vendeve në botën e ditëve të sotme, ashtu siç dëshmon statusi i Mosadit në Izrael.

Në aktivitetin e tij të mëvonshëm, Qira, si rezident për një kohë të gjatë në SHBA, mbeti një aktivist nacionalist dhe luajti një rol të spikatur në vitet e fundit të jetës së vet, në qytetin e Nju Jorkut, për ndërtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas lirimit nga burgu dhe mërgimit të tij në Shtetet e Bashkuara, Qira shkroi se “e vetmja gjë që po përpiqesha të bëja, ishte të përgatisja njerëzit për kalbjen e pashmangshme të regjimit komunist jugosllav… nëse mund t’i organizoja të rinjtë dhe t’i përgatisja për kohën kur ata mund të kërkonin ndihmë nga Perëndimi, ne do të ishim një vend i lirë”.

Deklarata e tij, në dukje e thjeshtë, mishëron disa tematika kyçe në raportin reciprok mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në atë kohë dhe natyrën e luftës së fshehtë për një ushtri kryengritëse kosovare në të ardhmen. Për të penguar aksionin radikal, jugosllavët mund të mbështeteshin në familjen ultrakonservatore patriarkale kosovare me guximin e saj të madh fatalist mysliman. Të moshuarit në fshatra kishin ndjenja të forta nacionaliste po aq sa dhe të rinjtë, por pas disfatave për kauzën e tyre në periudhën e viteve 1943-1949, kishin pak dëshirë për rezistencë të drejtpërdrejtë dhe akoma më pak aftësi për ta organizuar atë.

Modeli i tyre i rezistencës ushtarake i heroizmave kaluar mbi kalë, bazuar në çetën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, ishte mundur bindshëm në Drenicë, nga luftimi i mekanizuar i partizanëve titistë në vitet 1944-1949. Përkrahësit për të infiltruarit enveristë, si Qira, në fundin e viteve ‘40 dhe në fillim të viteve ’50 duhet të përfshijnë mbështetjen te të rinjtë, ashtu siç Ushtria Çlirimtare e Kosovës pas vitit 1995 u mbështet më së shumti te të rinjtë dhe tek ata që ishin fare të rinj. Ajo do të kërkonte gjithashtu një model të ri ushtarak dhe një doktrinë ushtarake të re.

Kjo e fundit ishte në një farë mënyre e gatshme, në formën e teorive komuniste të luftës popullore, por nuk ishte aspak e qartë se si mund të zbatohej në Kosovë, ku kishte pak ndërgjegje marksiste dhe aq më pak ndërgjegje politike marksiste-leniniste.

Deri në vitet ’60, tekstet kryesore maoiste mbi luftën guerile që do të rishkruanin të gjithë doktrinën e çështjes, ishin të panjohura jashtë Kinës. Një lider potencial ushtarak kryengritës kosovar, ish-komandanti partizan, koloneli Qamil Brovina, i cili kishte një pikëpamje revolucionare dhe një ndërgjegje të klasave, ishte në burg. Partizani tjetër i vetëm kosovar i të njëjtit rang, Fadil Hoxha, ishte më shumë një politikan në uniformë, sesa një ushtar revolucionar dhe një oportunist politik që ua kishte dorëzuar fatin e vet Titos dhe jugosllavëve në vitin 1948. Së dyti, Qira dhe mbështetësit e tij të shërbimit sekret kishin që atëherë ndjesinë se modeli i komunizmit jugosllav nuk do të zinte rrënjë në Kosovë si një qeverisje e suksesshme, më shumë se ç’kishte zënë si fokus kundërshtues brenda Jugosllavisë së post-Boshtit dhe me kalimin e kohës do të shpërbëhej.

“Reformat” revizioniste nën Titon pas vitit 1948 tashmë kishin sjellë si rezultat elemente të kapitalizmit tradicional në shkallë të ulët. Një ngjarje kryesore ishte rënia dhe kolapsi përfundimtar i përpjekjeve të Titos për kolektivizimin e bujqësisë në fillim të viteve ’50. Në Kosovë, kjo gjë bëri të mundur që familjet e mëdha pronare të kërcënuara të mbanin disa nga tokat e tyre të para vitit 1939 dhe disa nga pronat e tyre urbane në qendrat e vjetra otomane si Vushtrria… Së treti, Qira dhe bashkëpunëtorët e tij të Sigurimit arritën të kuptonin, shumë vite më vonë, se Kosova nuk mund të çlirohej nga Jugosllavia pa ndihmë të jashtme nga Perëndimi.

Rusia dhe shtetet e saj të shumta satelite kishin gjithashtu interesa afatgjatë strategjikë në Beograd dhe fati i mjerueshëm i partizanëve të rangut të lartë, si Brovina, të cilët kishin ndjekur linjën ruse në vitin 1948 dhe ishin “kundër Rezolutës” për të lënë Kominformin nuk ishte ndonjë stimul për të tjerët që t’i ndiqnin.

Misioni i Qiras kishte një dykuptimësi fatale, në atë që u shërbeu në mënyrë të qartë prioriteteve të qeverisë së Hoxhës për të siguruar sekrete nga fqinji i saj i ri antagonist dhe mbrojti interesat kombëtarë shqiptarë përmes aleancës sovjetike. Kjo nuk ishte e njëjta çështje si nxitja e rezistencës në Kosovë.

Gjatë dyzet vjetëve të ardhshëm, kjo kontradiktë nuk do të zgjidhej asnjëherë në mënyrë të kënaqshme, qoftë nga Tirana, qoftë nga radikalët kosovarë. Shqipërisë, si një shtet miqësor me afërsi gjaku, me një kufi të depërtueshëm, iu kërkua që të shërbente si bazë për trajnim, furnizim ushtarak dhe çlodhje e argëtim, por qeveria e Tiranës kishte prioritete më të gjera ndërkombëtare se Kosova dhe kjo ndikoi në qëndrimin e saj ndaj luftës politike ilegale që zhvillohej atje.

Në disa periudha, lufta e Kosovës ishte në nivele kaq të ulëta, saqë dukej se ishte vendimtare ndihma e Tiranës për të zhvilluar rezistencën, të paktën thjesht për ta kthyer Kosovën në stabilitet (pavarësisht se sa e pakënaqshme ishte nga pikëpamja shqiptare) dhe për të parandaluar shkatërrimin e saj si etnitet me shumicë shqiptare brenda Jugosllavisë, me gjithë rrezikun që mund t’u sillte vetë kufijve të Shqipërisë.

Herë të tjera, prioriteti ishte bashkëpunimi ekonomik, si në vitet ’80, LÇK-ja ishte nën kontrollin shqiptar. Ekzistonte gjithashtu edhe çështja e asaj që ishte “Perëndimi”, nga këndvështrimi i shqiptarëve të Kosovës. “Perëndimi” për shqiptarët para së gjithash do të thoshte Shtetet e Bashkuara.

Që nga angazhimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, për mbijetesën e shtetit shqiptar të pasvitit 1913 në periudhën e Traktatit të Versajës, kur shumë fuqi europiane me dëshirë do ta kishin parë të ndarë midis Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë, Shtetet e Bashkuara gjithnjë patën një rol të veçantë në panteonin politik shqiptar, por ndërsa u zhvillua Lufta e Ftohtë, Jugosllavia e Titos u pa në një dritë pozitive në SHBA dhe në Luftën e Ftohtë, Shqipëria ishte brenda orbitës ruse dhe më vonë në atë kineze.

Pak gjë mund të pritej nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1950, me përjashtim të një gjëje, sigurimi i një strehe të sigurt për refugjatët shqiptarë dhe kosovarë.

E njëjta gjë ishte e vërtetë edhe për Britaninë, ku Titoja kishte lidhje të tjera të kohës së luftës me njerëz të shquar, si William Deakin dhe Fitzroy Maclean. Qëndrimi i komunistëve britanikë ndaj Titos pas vitit 1948 ishte veçanërisht sektar dhe dogmatik.

Eksperti i partisë për Europën Juglindore, James Klugman, kishte qenë në seksionin jugosllav të Special Operations Executive në Luftën e Dytë Botërore, në Kajro dhe në Bari; Më vonë, ishte subjekti i hamendësimeve nga më të ndryshmet për rolin e tij të supozuar në drejtimin e burimeve të SOE-së për të ndihmuar Titon të ngjitej në pushtet. Në një nga periudhat më të këqija, Tirana bashkëpunoi në mënyrë aktive me Beogradin kundër kosovarëve, siç ndodhi në vitet ’80, kur militantët që po arratiseshin për t’i shpëtuar policisë jugosllave, u kthyen në Kosovë dhe kryen kohë të gjata burgimi.

Si përgjigje ndaj kësaj, që herët, kosovarët filluan të krijonin rrjete joformale mirëkuptimi brenda Partisë së Punës së Shqipërisë dhe organizatave kryesore në Shqipëri, në veçanti me shërbimin e sigurisë, Sigurimin dhe Ushtrinë.

Shpesh, këto rrjete mbështeteshin te shqiptarë të mirënjohur me lidhje familjare në Kosovë dhe në rrethet verilindore kufitare, si në Tropojë, Dibër dhe Has, ku kishte një traditë vendase patriotike të fortë të shërbimit në ushtri dhe në polici dhe ku banorëve më të moshuar u kujtohej pa vështirësi jeta në sistemin e vilajetit otoman, përpara se të ekzistonte kufiri kombëtar i vitit 1913, që ndau komunitetet shqiptare./ Panorama.al