BLOG, 2 Maj 2022, 22:43

Ruleta Ruse/ “Kazinoja” e luftës

Ruleta Ruse/ “Kazinoja” e luftës

Quhet zakonisht luftë, por po etiketohet edhe si garbage (plehra). Male me mbeturina të qyteteve të zhdukura, të zhytura nën rrënoja; miliona refugjatë që janë larguar në çdo drejtim, pa ujë, ushqim dhe strehim të sigurt për muaj të tërë; pikëllim i pafund, dhimbje, plagë të pashërueshme dhe dhjetëra mijëra gjymtyrë njerëzore që janë zhdukur përgjithmonë, si në një pikturë surrealiste të Salvador Dalì.

Qindra miliarda dollarë të buxheteve kombëtare (paratë e taksapaguesve, në Lindje dhe në Perëndim) janë hedhur në erë në formën e plumbave, bombave dhe raketave, teksa arsenalet e armëve janë duke u boshatisur. Dhe këtu qëndron problemi: Pasi të kenë mbaruar rezervat e armëve, sa kohë do të duhet për t’i rimbushur ato?

Sepse do të jetë kohëzgjatja minimale e kësaj kohe, ajo që do të tregojë nëse sulmuesi do t’ia hedhë paq ne lidhje me luftën që shkaktoi. Në pamje të parë ky duket si një detaj teknik. Në fakt është një detaj strategjik. “London Times” e sqaron shumë mirë këtë në artikullin me titull “Humbjet e pajisjeve që mund ta pengojnë Moskën të zhvillojë luftëra të mëtejshme”, duke analizuar sistemin rus të armatimeve.

Atje citohen analizat e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, snë bazë të të cilave prodhimi vjetor i parashikuar i Rusisë do të ishte 250 tanke dhe 150 avionë luftarakë. Bazuar në disa vlerësime të kryqëzuara, falë armëve ultramoderne perëndimore, Ukraina në këta 2 muaj ka shkatërruar 2 vite prodhimi rus për tanket, dhe 1 vit prodhimi të avionëve luftarakë.

Analizat në lidhje me rezervat e raketave ruse nuk janë të qarta apo përfundimtare, por Putin besohet se ka “harxhuar” mbi qytetet dhe popullsinë ukrainase prodhimin ushtarak të disa viteve. Pra, për fatin tonë (por le të kujtojmë se kjo nuk është një videolojë, pasi të vdesin me dhjetëra mijëra në të dyja frontet, ata mbeten ende qenie njerëzore si ne!), në të ardhmen e afërt edhe Vladimir Putin do të detyrohet të kursehet nga përdorimi i raketave të tij hipersonike shumë të shtrenjta (stoqet mund të jenë reduktuar me 70 për qind), të përshtatshme për të goditur objektivat me një saktësi të madhe.

Dhe kjo ndodh edhe sepse këto super raketa, janë të pajisura me sisteme super të sofistikuara, komponentët e të cilëve ose janë nën embargo, ose janë të prekur nga reagimi global ndaj regjimit tregtar për shkak të pandemisë dhe për shkak të vetë luftës në Ukrainë.

Madje shërbimet sekrete ukrainase, pretendojnë se zinxhiri i prodhimit të tankeve ultramoderne ruse T-90 dhe T-14 Armatas është ndërprerë plotësisht, ndërsa ai i tankeve T-72 më pak të avancuar ka pësuar një ngadalësim të madh. Për më tepër, kjo nuk mund të cilësohet e pamundur, duke pasur parasysh informacionet që janë dekonspiruar në të shkuarën mbi vjedhjet e mëdha sistematike, nga oligarkët dhe drejtuesit ushtarakë rusë.

Pikërisht kjo kupolë besnikësh të autokratit rus, shpërndau kapitalin e madh (po flasim për disa qindra miliarda dollarë) të investuara me urdhër të drejtpërdrejtë të Putinit në modernizimin e armëve, si një lloj reagimi ndaj performancës së dobët të ushtrisë ruse në Gjeorgji në vitin 2008.

Diçka e ngjashme është parë së fundmi edhe në Ukrainë, gjë që solli një reduktim drastik të objektivave të të ashtuquajturit “Operacion Special”. Nga këtu buron edhe nevoja e rusëve për të rikuperuar të gjitha materialet e rikuperueshme nga magazinat e vjetra të armatimit të epokës sovjetike, gjë që padyshim u sjell probleme serioze gjeneralëve rusë që duhet të merren me pajisje të vjetruara për të cilat ushtarët kanë shumë pak njohuri.

Nga ana tjetër falë ndihmës perëndimore, Ukraina nuk ka probleme me furnizimet në fushën e betejës, pjesërisht falë linjave të shkurtra të furnizimit, dhe pjesërisht edhe për shkak të çorganizimit të madh të departamenteve logjistike të ushtrisë ruse.

Por edhe për ukrainasit, rezistenca ndaj sulmit të madh të Ushtrisë së Kuqe do të jetë mjaft e vështirë, duke qenë se sipas asaj që deklaroi vetë presidenti Volodimir Zelenski, 20 ditë furnizime perëndimore janë të mjaftueshme për vetëm 1 javë luftime.

Për të penguar fluksin e furnizimeve nga jashtë për Ukrainën, rusët po shterojnë edhe me shpejt stoqet e tyre me raketave precize, duke u përpjekur të godasin depot dhe infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore që përdoren për transportin e materialeve (pjesë këmbimi dhe komplete të çmontuara që ri-montohen).

Por nga këndvështrimi i NATO-s dhe Perëndimit, edhe furnizimi me armë të rënda i Kievit (gjithnjë duke supozuar se ato mbërrijnë në destinacionin e tyre), pa u identifikuar si bashkëluftëtarë në këtë konflikt (në realitet jemi tashmë!), nuk është thjesht një shëtitje.

Prandaj, truku i vetëm për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë të NATO-s, është zbrazja e depove me armë dhe municioneve të epokës sovjetike, të cilat vendet e Evropës Lindore i kanë me bollëk (ndoshta duke zëvendësuar mjetet e blinduara dhe avionët e vjetruar me ato më të fundit që ka Perëndimi).

Edhe modelet e tankeve dhe topave që mund të përdoren menjëherë nga ushtria ukrainase i përkasin asaj periudhe. Por ato do të kërkojnë miliona predha dhe plumba për armë të lehta dhe të rënda, të cilat Perëndimi nuk është në gjendje që t’ia sigurojë Kievit, pasi nuk kanë lidhje me prodhimin e tij industrial ushtarak.

Pra është gara e zakonshme e “maces dhe miut” (identike me shumë të tjera që nga Lufta e Dytë Botërore), të cilën me sa duket nuk do ta fitojë askush. Shpresa e vetme për paqen, është që ngërçi të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke i detyruar të dyja palët e rraskapitura të gjejnë një marrëveshje për t’i dhënë fund këtij konflikti absurd, shkatërrues, në dëm edhe të atyre që janë zyrtarisht jashtë, por sidomos të atyre që janë viktima brenda Rusisë dhe Ukrainës. / “Opinione.it” – Perktheu:Bota.al