AKTUALITET, 4 Nëntor 2020, 16:24

Biden po fiton në shtete kyçe, reagon sërish Trump: Shumë e çuditshme, zhdukje si me magji e avantazhit tim!


SHBA- Beteja e ethshme zgjedhore mes Donald Trump dhe Joe Biden, po zhvillohet në disa shtete kyçe si Michigani, Wisconsin dhe Pensylvania.

Për momentin Joe Biden, duket se po fiton në Wisconsin dhe Michigan, çka i rrit shumë shanset e tij për t'u zgjedhur president dhe ka një përmbysje të rezultateve paraprake me atë çka u pa gjatë natës, për shkak se janë numëruar edhe votat me postë, të cilat i kanë dhënë avantazh Biden.

Por, Donald Trump ka reaguar sërish, duke shtuar pikëpyetjet mbi procesin zgjedhor. Ai vijon me deklarata të paprecedenta, që vënë në pikëpyetje integritetin e zgjedhjeve.

"Mbrëmë unë po udhëhiqja, shpesh bindshëm, në shumë shtete kyçe, të cilat i kishin drejtuar dhe kontrolluar demokratët. Më pas, një nga një, ato nisën të zhdukeshin si me magji, pasi u numëruan vota të hedhura surprizë. SHUMË E ÇUDITSHME, dhe ata që bëjnë sondazhe gabuan totalisht dhe historikisht", shkruan Trump në Twitter.

Më herët presidenti shkaktoi habi dhe reagime të shumta, duke deklaruar se zgjedhjet po "vidheshin", ende pa u numëruar votat, një deklarat që i shkon më shumë për shtat vendeve autokratike dhe jo SHBA-ve.

Ky është një mashtrim ndaj popullit tonë, është një turp për popullin tonë. Ne po bëheshim gati t’i fitonim zgjedhjet dhe ne i fituam zgjedhjet. Ky është mashtrim i madh për kombin tonë. Ne do të shkojmë në Gjykatën Supreme. Ne duam të ndalojë votimi, që të mos shtohen votat“, tha ndër të tjera Presidenti, në orët e para të mëngjesit.

Deklarata e Trump se do t'i drejtohet Gjykatës Supreme edhe pse ai nuk e ka sqaruar konkretisht për çfarë do t'i drejtohet, tregojnë se beteja elektorale do të jetë edhe një betejë ligjore.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2020/11/04/trump-ben-deklarate-te-paprecedent-po-beheshim-gati-te-festonim-po-ndodh-nje-mashtrim-ndaj-popullit-turp/