TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Me dy çmime “Oscar” në karrierën e tij të shquar: “Perandori i fundit” dhe drama erotike, “Tangoja e fundit në Paris”, regjisori italian, Bernardo Bertoluçi, e shkroi përjetësisht emrin e tij në panteonin e kinematografisë, me 20 çmime dhe vlerësime të ndryshme. Ai vlerësohet si një nga kineastët më të mëdhenj të botës.
Bertoluçi, i cili humbi betejën e tij të gjatë me kancerin, vdiq në Romë, në moshën 77 vjeçare, i rrethuar nga familja e tij.
IDEALIST, MARKSIST DHE ATEIST
I njohur si regjisori që i trajtoi në një këndvështrim psikologjik marrëdhëniet seksuale, si në “Tangon e fundit”, i vetëdeklaruar një Marksist dhe ateist, ai nuk qëndroi larg trajtimit të politikës dhe ideologjisë, si në filmin e famshëm “Konformisti”, të cilin kritikët e konsiderojnë si kryeveprën e Bertoluçit.
"Ndoshta unë jam idealist, por unë ende mendoj për kinemanë si një katedrale, ku të gjithë shkojnë së bashku për të ëndërruar ëndrrën së bashku", tha ai pasi mori një çmim në SHBA për filmin e tij të vitit 1987 , "Perandori i fundit".
Filmi ishte një sukses i madh. Në vitin 1988, ai i fitoi të nëntë çmimet që jepen në “Academy Awards”, përfshirë edhe filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë.
DJALI I NJË POETI, I DASHURUAR ME KINEMANË
Ai u lind në qytetin veriore të Parmës, më 16 mars 1971. Bernardo ishte djali i një poeti, Atilio Bertoluçi. Familja u zhvendos në Romë, kur Bertoluçi ishte 13 vjeç. Fillimisht, ai dëshironte të bëhej një poet, por më pas ai iu kthye kinemasë.
FILMI I PARË – VRASJA E NJË PROSTITUTE
Bernardo Bertoluçi e nisi karrierën e tij, qysh kur ishte student në Universitetin e Romës, si asistent i regjisorit Pier Paolo Pasolini në filmin “Accatone” (Lavirja). Një vit më pas, në 1962, ai bëri filmin e tij të parë “La Commara Secca” (Thashethemet e thata), rreth vrasjes së një prostitute në lumin Tiber, në Romë.
“TANGOJA E FUNDIT NË PARIS” SHOKON BOTËN
“Tangoja e fundit në Paris” konsiderohet, si një nga filmat më të famshëm të Bertoluçit, por dhe më me emër të keq. Filmi, ku aktrojnë dy nga emrat e mëdhenj të kinemasë, Marlon Brando dhe Maria Shnajder, ku në qendër është marrëdhënia e një burri të moshës së mesme me një grua të re, dhe që për më tepër kryejnë një marrëdhënie seksuale brutale në një apartament të Parisit, shokoi botën dhe u përfshi në filmat e censuruar në vendin e tij, në Itali. Maria Shnajder ishte vetëm 19 vjeç asokohe.
Gjithsesi, për stilin improvizues, filmi meritoi çmimin e kritikës, ndërsa Bertoluçi dhe Brando u nominuan për çmimin “Oscar”, për një revolucion në trajtimin e një teme tabu.
[caption id="attachment_179537" align="alignnone" width="1200"]
Bernardo Bertoluçi (d) dhe dy aktorët, Marlon Brando dhe Maria Shnajder[/caption]
“TANGO...”, 15 VJET I NDALUAR NË ITALI – DY MUAJ BURG
“Tangoja e fundit në Paris” u ndalua në Itali, menjëherë pas linçimit të tij në vitin 1972 dhe nuk u shfaq më deri në vitin 1987, pra për 15 vjet me radhë. Gjykata hapi një çështje penale në vitin 1976, dhe të gjitha kopjet u konfiskuan dhe u shkatërruan. Bertoluçi, Brando dhe Shnajder, si dhe producenti i filmit, Alberto Grimaldi, u dënuan dy muaj me burg, dhe u gjobitën me 40 dollarë secili, edhe pse më pas dënimi me burg u pezullua.
20 ÇMIME PËR REGJISORIN E FAMSHËM
Bernardo Bertoluçi ishte skenarist i shumë filmave, të drejtuar nga ai, por dhe nga regjisorë të tjerë.
Në 2007, Bertoluçi u nderuar me një çmim special, “Luani i artë”, për punët e realizuara gjatë karrierës së tij në Festivalin e Filmit në Venecia. Bernardo Bertoluçi u nderua për arritjet e tij gjatë jetës së tij krijuese në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2011 me “Palmën e artë”.
Nën drejtimin e tij aktruan disa nga emrat më të mëdha të kinemasë, të tillë si Robert De Niro, Gerard Depardieu, Donald Sutherland, Sterling Hayden, Burt Lancaster, Dominique Sanda, Stefania Sandrelli, Alida Valli, Laura Betti, Romolo Valli e Francesca Bertini.
Bertoluçi është martuar tri herë, me Adriana Astin, Maria Paola Maino dhe me shkrimtaren dhe regjisoren angleze, Clare Peploe, me të cilat ai nuk pati fëmijë.
/TPZ.AL/