TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, iu kundërpërgjigj deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi, i cili u akuzua më herët se kishte hequr dy kate të hotelit të tij në Durrës për të fshehur gjurmët e shkatërrimeve nga tërmeti.
Boçi thotë se deputeti, angazhoi gjithçka për të mbuluar gjurmët e krimit ndërtimor dhe lejes abuzive të ish-kryebashkiakut, Vangjush Dako, për të shpëtuar milionat e tij.
Ish-deputeti demokrat thotë gjithashtu se dy hotelet e Abazit, kanë kate shtesë pa leje.
Reagimi i plotë i Boçit:
Është e vërtetë që zoti Abazi ishte shumë, po shumë i qeshur sot! Ngazëllehej me fatin tragjik të njerëzve dhe nuk ndjente aspak shqetësim për gjendjen e tyre dhe prishjen e provave. Ai ishte aty për “bahçen” e vet.
Në vend që të angazhonte njerëz e mjete për t’i ardhur në ndihmë banorëve që kanë humbur jetë, djersë e mund, kishte angazhuar gjithçka për të mbuluar gjurmët e krimit ndërtimor dhe lejes abuzive të Gjushit e për të shpëtuar milionat e veta.
Një turp i pa rrëfyer ky, i bërë në mes të ditës, duke i bërë karshillëk hapur njerëzve që nuk dinë ku të fusin kokën.
Ndërkohë qytetarët denoncojnë tanimë hapur, që hotelet AS dhe HORIZONT të tij janë me kate shtesë abuzive.
Normal është i përkëdheluri i Ramës si shumë SADRINJË të tjerë.
Sa për replikën, qartazi qytetarisht ia vura në dukje atë që po bënte.
Për citimin që ka sjellë ka mashtruar publikisht.
Fjala “nëmi” është e zonës së Sadriut. Janë krejt fjalët e tij.
Këtej nga ne përdoret “mallkoi” e nuk ia vlen të zgjatem këtu pasi nuk pjesë e fjalorit tim. Unë s’jam Rama as Sadriu.
Por zakoni del me shpirtin dhe Sadriu, nën shembullin e Ramës, si sadrinjtë e tjerë, vetëm mashtrojnë, abuzojnë, fshehin krime e bëjnë miliona me thasë nën rrënojat e një Shqipërie që e grabisin e vjedhin dhe e rrjepin duke qeshur, tallur e bërë show-n e neveritshëm.
Por për sërën e llojin e Ramës, Gjushit e kompani ka një ndëshkim.
Ndëshkim që do vijë nga vota e lirë e socialistëve të nëpërkëmbur e të mashtruar, nga vota e demokratëve të përndjekur këtu e gjashtë vite, nga vota e qytetarëve të cilëve u ka ardhur Rama, Sadriu, Gjushi e banda e Rilindjes, në majë të hundës.