AKTUALITET, 25 Maj 2019, 20:27

Basha: Sot është ngritur shpresa e një kombi – LIVE

Basha: Sot është ngritur shpresa e një kombi – LIVE

Kryedemokrati Lulzim Basha po mban fjalimin para protestuesve të opozitës. Të mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë, Basha u shpreh se kjo është një ditë historike. Sipas tij, të gjithë shqiptarët janë bashkë dhe mesazhi është një: “Rama ik”.

“Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj në zërin tuaj, unë dhe gjithë Shqipëria, Europa dhe gjithë bota, shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: bëjeni ta dëgjojë gjithë bota. E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Ky është mesazhi, kjo është aspirate që i ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt për herë të 6 në këtë shesh”, u shpreh Basha.

Kreu i PD tha se Rama duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë për shkak të skandaleve që e kanë shoqëruar qeverinë e tij dhe atë vetë. Sipas tij, në Europë, asnjë kryeministër nuk do qëndronte në detyrë nëse do të kapej duke vjedhur zgjedhjet.

“Nuk ka në Evropë kryeministër që kapet duke vjedhur zgjedhjet e mos të shporret një orë e më parë nga karrigia e të çohet para drejtësisë. Nuk ka në Evropë politikan që ta mbushë partinë e tij e grupin parlamentar me 19 përdhunues, vrasës e trafikantë dhe të mos shporret e të shkojë para drejtësisë. Standardet, vlerat dhe normat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi ramës dhe të bandës së tij. Në këto 6 vite e gjysëm, vetëm krim, korrupsion e hajduitëri, babëzi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot e derisa të bëhet realitet, ka vetëm një mesazh nga populli: Rama ik”.

“Janë dy flamuj të mëdhenj të hapur në protestë. Flamuri kombëtar dhe ai i BE. Mesazhi është se shqiptarët janë të bashkuar, përtej bindjeve politike, me kauzën e opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, për të vendosur ata me votë të lirë qeverinë dhe jo krimi, për të hapur dyert e mbyllura prej 6 vjetësh”, theksoi kreu demokrat.