AKTUALITET, 7 Qershor 2020, 11:54

Basha: Kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie i zgjedh anëtarësia

Basha: Kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie i zgjedh

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e kryesisë ka kërkuar përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie nga anëtarësia e PD-së.

Basha i propozoi sot kryesisë së forcës më të madhe të opozitës nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit te kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Kjo është një risi për politikën, pasi për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës, si konkretizim i premtimit të tij se ai nuk do të bënte më kurrë i vetëm listën e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie.

Ndërkohë PD është e vetmja parti që po zbaton parimin “një anëtar, një votë” për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri në 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.

Procesi do të realizohet sipas afateve të mëposhtme:

1. Brenda datës 15 qershor 2020, Sekretari i Përgjithshëm të propozojë për miratim në Kryesi, udhëzimin përkatës për realizimin e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidatëve.

2. Procesi në nivel Dege për evidentimin/përzgjedhjen të realizohet në periudhën 20 qershor – 31 korrik 2020.

3. Brenda datës 1 gusht 2020 të ngrihet Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pranë PDSH-së.

4. Procesi i seleksionimit të kandidaturave të realizohet në periudhën 1 gusht – 30 gusht 2020.

5. Procesi i konsultimit të kandidatëve të realizohet në periudhën 1 shtator – 15 shtator 2020.