TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Banka e Shqipërisë konfirmon besimin se vala inflacioniste do të jetë kalimtare. Në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e tretë të vitit, thuhet se inflacioni u rrit gjatë tremujorit të dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet botërore dhe e rritjes së çmimeve në disa kategori shërbimesh në vend.
Inflacioni i çmimeve të konsumit u rrit në një nivel mesatar prej 3% në tremujorin e dytë, nga 2.5% në tremujorin e parë, duke pasqyruar forcimin e presioneve të huaja dhe të brendshme inflacioniste. Në terma të përbërësve të shportës, rritja e tij u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i karburanteve, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës në tregun global pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe nga rritja e inflacionit të shërbimeve.
Në terma makroekonomikë, rritja e çmimeve në tregjet e huaja u përcoll edhe në ekonominë shqiptare, ndonëse, sipas Bankës sëShqipërisë, mbiçmimi i Lekut vijoi të amortizojë transmetimin e tyre në çmimet vendase. Nga ana tjetër, presionet e brendshme u nxitën nga rritja e çmimeve të disa shërbimeve të lidhura me transportin dhe turizmin dhe nga kontributi ende i lartë i qirave. Por, duke përjashtuar inflacionin e qirave, Banka Qendrore vlerëson se inflacioni i brendshëm mbetet në përputhje me objektivin e stabilitetit të çmimeve.
Banka e Shqipërisë ende vlerëson se pritjet për inflacionin në të ardhmen mbeten të qëndrueshme, duke reduktuar përcjelljen e goditjes së ofertës në efekte të mëtejshme gjatë raundit të dytë.
Pas një rritjeje të përkohshme në afatin e shkurtër, inflacioni pritet të bjerë gradualisht drejt objektivit prej 3%, i mbështetur nga rritja e ekonomisë pranë potencialit dhe pritjet e ankoruara për inflacionin.
Por, sidoqoftë, në raport theksohet edhe njëherë se pasiguritë për të ardhmen mbeten relativisht të larta. Këto pasiguri diktohen nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, tensionet gjeopolitike dhe ndikimet e tyre mbi inflacionin dhe aktivitetin ekonomik të partnerëve tregtarë të vendit.
Sipas raportit, balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun rritës për inflacionin dhe në kahun rënës për aktivitetin ekonomik. Një përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve gjeopolitike, veçanërisht nëse shoqërohet me ndërprerje nëfurnizimin me energji ose rritje të mëtejshme të çmimeve të mallrave bazë, mund të ushtrojë presione shtesë mbi inflacionin dhe të dobësojë perspektivën ekonomike.
Banka e Shqipërisë vlerëson se aktiviteti ekonomik vijoi të zgjerohej me ritme të qëndrueshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Rritja ekonomike rezultoi 3.7% në tremujorin e parë, ndërsa treguesit e disponuar, sipas Bankës Qendrore,sugjerojnë vazhdimin e trendit rritës edhe në tremujorin e dytë.
Kjo ecuri ka pasqyruar rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve të shërbimeve, të cilat u mbështetën nga rritja e të ardhurave, pritjet për të ardhmen, rritja e të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Në veçanti, punësimi dhe pagat në sektorin privat jobujqësor u rritën në tremujorin e parë, ndërsa shkalla e papunësisë mbeti në nivele të ulëta, prej 8.4%. Rritja me 11.5% e pagave në sektorin privat pasqyroi kërkesën e qëndrueshme për fuqi punëtore, mungesat në tregun e punës, si dhe rritjen me 25% të pagës minimale në muajin janar.
Deri tani, sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimi në inflacion i rritjes së kostove të punës është zbutur nga përmirësimi i produktivitetit dhe ngushtimi i marzheve të fitimit të bizneseve. Në të njëjtën kohë, kushtet e financimit vijuan të mbështesin zgjerimin e aktivitetit ekonomik.
Sipas Bankës së Shqipërisë, perspektiva afatmesme e ekonomisë mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik parashikohet të rritet pranë potencialit, ndërsa inflacioni të luhatet pranë objektivit 3% në afatin e mesëm. Zbehja graduale e goditjeve nga jashtë, së bashku me rritjen ekonomike pranë potencialit dhe pritjet e ankoruara për inflacionin, pritet të mbështesin kthimin gradual të inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Ekonomia pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme, i mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, kushtet e favorshme në tregun e punës, zgjerimi i kreditimit dhe pritjet e konsumatorëve dhe bizneseve./ Monitor