BALLKAN, 8 Mars 2024, 16:15

Votimi për largimin e kryetarëve në veri/ BE përshëndet vendimin e KQZ: Të sigurohen kushtet për një votim të lirë!

Votimi për largimin e kryetarëve në veri/ BE përshëndet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Prishtinë, Tomáš Szunyog, i cili përmes një postimi në platformën X, thotë se vlerësojnë vendimin e KQZ-së për të votuar shkarkimin e kryetarëve.

“Vlerësojmë procesin e plotë të verifikimit të nënshkrimeve nga KQZ Kosova dhe vendimin e tyre për të caktuar votimin e tërheqjes për shkarkimin e kryetarëve të komunave. Tashmë është thelbësore që KQZ të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm.”, ka shkruar ai.