TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, bashkëshorti i ish ministres Besa Shahini, ka goditur me shuplakë një polic në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike që kjo parti organizoi të shtunën para Qeverisë.
Teksa për pak minuta pati tensione në protestën para objektit të Qeverisë, Molliqaj është incizuar teksa me shuplakë ka goditur njërin nga zyrtarët në dyert e Qeverisë.
Vetë Molliqaj ka akuzuar Policinë se është e dirigjuar politikisht teksa policët i ka quajtur të pasjellshëm.
Ndërkaq, në një reagim të mëvonshëm, Molliqaj as që e ka përmendur goditjen e tij ndaj një zyrtari policor.
“Manifestimi i sotëm nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e njerëzve që u vetorganizuan, madje sollën edhe parrulla me vete; nuk do të ishte i mundur pa gazetarët që kanë informuar rregullisht dhe drejt mbi rritjen e çmimit të rrymës, por edhe lajmet për protestën.
Ky bashkim nuk është bashkim në shërbim të askujt veçanërisht. Ky lloj mobilizimi është i mundur vetëm kur ndërmjetësohet dhe ka në qendër interesin publik. Përpara”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas PSD-së, dhuna është ushtruar nga Policia e jo nga ta. Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, ka publikuar një video ku disa policë e shtyjnë Molliqajn nga objekti i Qeverisë.
Molliqaj edhe në një protestë të mëhershme, sa ishte pjesë e Vetëvendosjes, kishte nxitur reagime pasi kishte nxjerrë nga vetura një zyrtar shtetëror, pastaj protestuesit thyen xhamat e makinës.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka iniciuar hetim ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, për goditjen që i dha një zyrtari policor gjatë protestës.
Policia thotë se gjatë protestës, të organizuar nga PSD-ja kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë.
“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen përderisa po koordinon veprimet me mekanizmat e tjerë për zbatim të ligjit, duke iniciuar edhe një hetim për rastin “Sulm ndaj personit zyrtar në kryeje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftim.