BALLKAN, 27 Dhjetor 2022, 08:55

Vendoset një tjetër barrikadë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, Vuçiç urdhëron rritjen e gatishmërisë luftarake

Vendoset një tjetër barrikadë në Lagjen e Boshnjakëve
Barrikada në lagjen e Boshnjakëve

Në ditën e 18-të nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovë, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, është ngritur edhe një barrikadë tjetër. Ky është një vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë dhe rruga ku është vendosur barrikada është një prej rrugëve që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.

Nga ana tjetër presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiç ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.

Ai tha se rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të “mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë”.

“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t'u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.

“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngritë tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçeviç.

Disa serbë në veri të Kosovës, që nga data 10 dhjetor ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që të çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime i ndërmorën pasi policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet se ishte përfshirë në sulmet kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë. Nga ana tjetër, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.