BALLKAN, 2 Maj 2025, 19:10

Vendosën flamurin e ISIS-it mbi shtëpi, lihen në burg dy të dyshuarit

Vendosën flamurin e ISIS-it mbi shtëpi, lihen në burg dy të

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj D.B. dhe E.B., të dyshuar për veprimtari që lidhen me terrorizmin dhe përhapjen e urrejtjes ndërfetare. Vendimi u mor pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, duke u bazuar në rrezikun për arratisje, ndikim në dëshmitarë dhe mundësinë e përsëritjes së veprave penale.

Sipas aktakuzës, dy të dyshuarit kanë shpërndarë në rrjetet sociale materiale që mbështesin organizatën terroriste ISIS, kanë vendosur flamurin e saj mbi çatinë e shtëpisë dhe kanë bërë grafite me përmbajtje arabe. Për më tepër, në videot e publikuara në “TikTok” dhe “Facebook”, ata kanë shprehur përkrahje të qartë për ideologjinë ekstremiste dhe armiqësi ndaj institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Gjykata vlerësoi se rrezikshmëria shoqërore e veprimeve të tyre është e lartë dhe masat alternative ndaj paraburgimit janë të pamjaftueshme. Të dy dyshohen për nxitje të përçarjes fetare dhe pjesëmarrje në formacione të huaja paraushtarake. Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.