BALLKAN, 7 Qershor 2025, 20:48

Vendimi i madh për Thaçin dhe të tjerët më 14 korrik, Gjykata e Specializuar drejt një pike kthese

Vendimi i madh për Thaçin dhe të tjerët më 14 korrik,

Gjykata Speciale në Hagë pritet të marrë më 14 korrik një nga vendimet më të rëndësishme në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Paneli gjykues i kryesuar nga Charles Smith ka bërë të ditur se synon të vendosë pikërisht atë ditë nëse aktakuza e ngritur ndaj tyre do të qëndrojë në fuqi apo do të rrëzohet.

Afati i fundit për dorëzimin e mocionit të përbashkët nga ekipet mbrojtëse është vendosur më 12 qershor. Avokatët e katër të akuzuarve – Misetiq, Dixon, Roberts dhe Alagendra – do të paraqesin argumentet e tyre për rrëzimin e aktakuzës, të cilën e konsiderojnë të pabazë dhe të ndërtuar mbi fakte të brishta.

Ndërkohë, Prokuroria e Specializuar, e udhëhequr nga Kimberly West, ka afat deri më 7 korrik për të kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes dhe për të paraqitur arsyet pse duhet të mbetet në fuqi aktakuza që ngarkon të pandehurit me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vendimi i 14 korrikut pritet të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të procesit: në rast se aktakuza rrëzohet, mund të kemi një kthesë të madhe në drejtim të lirimit të ish-krerëve të UÇK-së. Në të kundërt, nëse qëndron në fuqi, atëherë procesi do të vijojë me dëgjimin e dëshmive të para nga Mbrojtësi i Viktimave dhe më pas nga mbrojtja.

Sipas kalendarit aktual, ekipet mbrojtëse duhet të deklarojnë më 16 korrik nëse do të paraqesin rastin e tyre gjatë vjeshtës dhe nëse do të thërrasin dëshmitarë në sallën e gjykimit.

Ky është një moment kyç për drejtësinë ndërkombëtare, por edhe për vetë Kosovën, pasi rezultati i këtij vendimi mund të ketë ndikime të mëdha politike, morale dhe historike për imazhin e luftës çlirimtare dhe të shtetësisë së Kosovës.