BALLKAN, 20 Janar 2022, 14:12

Shkarkimi i Abazovic, koalicioni “E Zeza mbi të Bardhë” iniciativë për mosbesimin e qeverisë

Shkarkimi i Abazovic, koalicioni “E Zeza mbi të Bardhë”

Trazira në politikën malazeze. Pasi kryeministri Zdravko Krivokapic ka bërë të ditur se ka dorëzuar në Parlamentin e Malit të Zi iniciativën për shkarkimin e Dritan Abazovicit nga pozicioni i zëvendëskryeministrit, ka ardhur përgjigjia e koalicionit “E Zeza mbi të Bardhë”, lider i të cilit është Abazovic.

Kjo e fundit ka dorëzuar paraditen e sotme në Kuvendin e Malit të Zi një iniciativë për mosbesimin e Qeverisë.

Sot është bërë kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit më 4 shkurt. Por parlamenti ka 81 deputete ndërsa për ta rrëzuar qeverinë duhet shumicë e thjeshtë.

Në propozimin për shkarkimin e Abazovic, Krivokapic theksoi se “më 19 janar 2022, pas disa muajsh mosmarrëveshje me drejtimet kryesore të zhvillimit të politikave qeveritare, deputetët e Lëvizjes Qytetare URA, së bashku me disa deputetë të DPS-së dhe partive të tjera të ish-qeveria, dërguan një kërkesë për votëbesimin në Parlamentin e Malit të Zi.

Nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazovic, si kryetar i organizatës politike të përmendur, nuk e kontestoi publikisht këtë iniciativë, duke iu bashkuar drejtpërdrejt atyre që punojnë kundër interesave të qytetarëve dhe qëllimeve të krijuara dhe të përcaktuara bashkërisht”, thuhet në propozimin e dorëzuar nga Krivokapic.