BALLKAN, 3 Mars 2023, 09:39

Sektori hekurudhor grek sërish në grevë pas tragjedisë me 57 viktima

Sektori hekurudhor grek sërish në grevë pas tragjedisë me 57

Një tjetër grevë 24 orëshe do të mbajnë sot punonjësit e sektorit hekurudhor në Greqi, pas tragjedisë në Larisa ku 57 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën si pasojë e përplasjes së dy trenave.

Greva është paralajmëruar nga Federata greke e Punonjësve Hekurudhorë (POS), shkruan Protothema.

Federata, siç thekson në njoftimin e saj, në bazë të shkresave që i janë dërguar organeve kompetente në të gjitha vitet e mëparshme, do të hartojë një memorandum me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me hekurudhën dhe do të kërkojë takim të menjëhershëm me Ministrinë e Transporteve dhe partitë politike.

Në takime do të prezantohen sërish qëndrimet e lëvizjes sindikaliste për sigurinë hekurudhore dhe në komunikacion, duke kërkuar një afat kohor të qartë për zbatimin e tyre për të shmangur ndonjë incident në të ardhmen.

Menjëherë pas mbledhjeve dhe duke marrë parasysh rezultatet e diskutimeve, do të mblidhet Bordi Drejtues i Federatës, për të marrë vendimet përkatëse, pa përjashtuar përshkallëzimin e mobilizimeve, në rast se rezultatet nuk konsiderohen pozitive.