TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut hapi sot seancën për miratimin e dy ministrave të rinj të Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, pas shkarkimit të premten të ministrave të cilët udhëhiqnin këto dy sektorë. Ministrat e rinj, Ilir Demiri dhe Naim Bajrami janë propozuar nga krahu i ish-kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar pasojnë përplasjet në mes zotit Sela dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari pasi ky i fundit vendosi t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e caktuara për më 8 maj. Kandidati për Ministër të Shëndetësisë, Ilir Demiri është mjek – infektolog që aktualisht kryen detyrën e drejtorit të spitalit në Tetovë. Ndërkaq, Naim Bajrami, inxhinier i Teknologjisë Informatike do të marrë drejtimin e Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Por, parlamenti filloi seancën me diskutime për zgjidhjen e problemit të krijuar me lejet e drejtimit të automjeteve, regjistrimit të automjeteve dhe targave të tyre, të shkaktuar nga detyrimi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, me Greqinë fqinje. Autoritetet qeveritare nuk kanë qenë në gjendje t’i pajisin deri më tani shtetasit me dokumentet e reja ku duhet të figurojë emri i ri i shtetit: “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Kjo ka shkaktuar shqetësim tek shumë banorë të këtij vendi. Parlamenti miratoi me konsensus ligjin që do të mundësojë përdorimin e këtyre dokumenteve vetëm brenda vendit, deri në fund të vitit.