BALLKAN, 6 Tetor 2023, 15:07

Organizoi sulmin në Banjskë, prokuroria e Beogradit ankimon vendimin e gjykatës për lirimin e Radoiçiç

Organizoi sulmin në Banjskë, prokuroria e Beogradit ankimon vendimin e

Prokuroria e Lartë në Beograd parashtroi ankesë të premten kundër vendimit të gjyqtarit i cili e hodhi poshtë kërkesën e saj për caktimin masës së paraburgimit ndaj Milan Radoiçiçit në fillim të kësaj jave, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta. Organi i akuzës bëri ankesë për shkak të rrezikut të arratisjes së Radoiçiçit, pas sulmit të armatosur më 24 shtator në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, përgjegjësinë për të cilin e mori vetë Millan Radoiçiç.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë. Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e mori përgjegjësinë për sulmin rreth pesë ditë më vonë. Më 3 tetor, Radoiçiçi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë. Megjithatë, ai u lirua një ditë më vonë pasi gjykatësi refuzoi ta paraburgoste. Në ankesën e 5 tetorit, Prokuroria më e lartë serbe kërkoi ndryshimin e vendimit dhe paraburgimin e Radoiçiçit, sipas televizionit serb N1.