TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas numërimit të mbi 60 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje po rezulton forcë e parë në pjesën dërrmuese të komunave të Kosovës.
Sipas rezultateve të deritanishme, LVV kryeson në Prishtinë, Kaçanik, Lipjan, Vushtrri, Pejë, Suharekë, Rahovec, Dragash, Podujevë, Kamenicë, Obiliq, Mitrovicë, Han të Elezit, Ferizaj, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Prizren, Fushë Kosovë, Klinë dhe Viti.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po mban epërsinë në tri komuna, përkatësisht në Skenderaj, Drenas dhe Malishevë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kryeson në Deçan dhe Junik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deri më tani po prin vetëm në Istog.
Ndërkaq, Lista Serbe vazhdon të kryesojë në dhjetë komunat me shumicë serbe.
Rezultatet mund dhe pritet të ndryshojnë me vazhdimin e procesit të numërimit të votave në të gjitha komunat e vendit.
Rezultatet
Rezultatet më të fundit preliminare të zgjedhjeve në Kosovë tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë bindshëm garën elektorale me 43.09% të votave të numëruara deri tani.
Sipas të dhënave të publikuara në orën 20:44, pas numërimit të mbi 72 përqind të votave, Vetëvendosje ka siguruar 207,253 vota, duke mbajtur diferencë të konsiderueshme ndaj partive rivale.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.82% ose 104,943 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës pozicionohet e treta me 17.98%, duke grumbulluar 86,456 vota.
Procesi i numërimit po vazhdon në mbarë vendin. Deri në momentin e publikimit të këtyre rezultateve janë numëruar 501,350 vota, që përfaqësojnë 25.58% të votuesve të regjistruar.
Po ashtu, janë përpunuar 1,819 nga 2,498 vendvotime, ose 72.82% e totalit të vendvotimeve në nivel vendi.
Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të pësojnë ndryshime me përfundimin e numërimit të të gjitha votave, përfshirë ato me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.
