TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, deklaroi se legalizimi i kanabisit nuk ka sjellë efektin e duhur në këtë vend për shkak të legjislacionit dhe mungesës së investimeve në teknologji.
Në një konferencë të përbashkët me homologen shqiptare, Delina Ibrahimaj, Bekteshi foli edhe për eksperiencën e vendit të tij në lidhje me legalizimin e kanabisit mjekësor. I pyetur pse në vendin e tij kjo nismë nuk ka dhënë impaktin e pritur dhe çfarë mund t’i sugjerojë qeverisë shqiptare për këtë çështje, ai ka treguar shkaqet që nisma nuk ka dhënë efektin e pritur në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Bekteshit, ajo që nuk ka funksionuar në vendin e tij, lidhet me faktin që atje lejohet vetëm eksporti i vajit të kanabisit e jo i lules së kanabisit. Ai thotë se kjo ka bërë që investitorët të mos bëjnë investimet e duhura në teknologji.
Ministri shqiptar i Ekonomisë në Maqedoni është i gatshëm që eksperiencën e vendit të tij ta ndajë edhe me Shqipërinë, e cila është drejt legalizimit të kanabisit mjekësor.
“Si ministër i Maqedonisë së Veriut, kemi eksperiencën e duhur sa i përket legalizimit të kanabisit. Nuk ka dhënë rezultatet e duhura për shkak të ligjit që kemi për momentin, ku lejohet vetëm prodhimi dhe eksportimi i vajit të kanabisit. Marr parasysh që nuk e kemi teknologjinë e duhur, por as tregun e duhur për momentin, si vend nga ana e investitorëve që janë duke bërë investime të tilla, pothuaj nuk ekziston eksporti.
Me siguri duhet të ndërhyhet në ligjet momentale, të cilat ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut për ta lehtësuar tregtinë.
Sa i përket eksperiencës sonë, jemi të gatshëm ta ndajmë me Shqipërinë, por për momentin, në Maqedoninë e Veriut lejohet vetëm eksporti i vajit të kanabisit e jo i lules së kanabisit”, tha Bekteshi gjatë fjalës së tij në konferencën për mediat në Tiranë, pas takimit me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Kujtojmë që qeveria shqiptarem përmes nismës së Këshillimit Kombëtarm ka nisur punën për kultivimin e kanabisit për arsye mjekësore.