BALLKAN, 11 Dhjetor 2022, 17:33

“Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”, Haradinaj për tensionet në Veri: Beogradi të heqë dorë nga veprimet luftënxitëse dhe të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur

“Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”,

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar sërish mbi tensionet në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

Ai bëri thirrje që Beogradi të tërhiqet nga veprimet e veta luftënxitëse dhe të pranojë realitetin e Kosovës së pavarur, pasi sipas tij luftërat në Ballkan janë një “kapitull” i mbyllur.

Reagimi i Haradinajt:

Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë. Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.

Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve!

Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur!