BALLKAN, 12 Tetor 2023, 09:54

Kurti paralajmëron serbët në Veri: Mund të ketë sulme të tjera të inskenuara. Besoni tek Policia e Kosovës

Kurti paralajmëron serbët në Veri: Mund të ketë sulme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar nga mbledhja e qeverisë të enjten e 12 Tetorit se pritet të ketë inskenime të tjera të dhunshme në Veri të vendit.

Kreu i qeverisë shpjegoi se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë kontestuar rritje të rrezikut pas hetimeve të tyre, duke bërë që të dalin në përfundimin se gjatë javëve, muajve të ardhshëm të ketë një inskenim të sulmeve të dhunshme nga grupe e struktura kriminale të Serbisë në Kosovë.

Ai shtoi se formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji verior duke iu referuar Serbisë “ka të ngjarë që dallimet etnike të synojnë t’i keqpërdorin për qëllime politike.”

Fjala e tij vijoi me një thirrje për qytetarët e komunitetit serb, që të jenë të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur, duke u kërkuar që të mos bien pre e keqinformimit.

“Ju bëj thirrje qytetarëve serbë që ditëve, javëve dhe muajve në vijim të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur aktet e dhunës të inskenuara e dashakeqe. Në Kosovë të gjithë jemi qytetarë të barabartë, nuk ka komunitete të pa dëshiruara”, tha ai.

Kurti u shpreh se “ata që po duan të na rrënojnë nuk do t’ia dalin sepse jemi të përgatitur dhe jemi bashkë për paqe e demokraci”.

“Besoni dhe mbështetuni në Policinë e Kosovës, raportoni sjelljet e dyshimta të personave të komuniteteve tuaja. Mos bini pre e dezinformatave, ruani qetësinë në çdo situatë”, tha kreu i qeverisë.