BALLKAN, 11 Tetor 2023, 13:03

U arrestua së bashku me një koleg në ’98, gazetari serb dëshmon në Hagë në gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe ish-figurave të larta të UÇK-së

U arrestua së bashku me një koleg në ’98, gazetari serb

Një gazetar serb tha në gjyqin për krime lufte të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre të pandehurve të tjerë bashkë me të në Hagë se ai ishte ndaluar dhe keqtrajtuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1998, por se nuk e kishte parë të akuzuarin.

Nebojsha Radosheviç, një ish-gazetar i agjencisë së lajmeve Tanjug të Serbisë, dëshmoi në Dhomat e Specializuara të Kosovës të hënën dhe të martën se ai dhe një fotoreporter serb u arrestuan dhe u mbajtën në kushte të këqija nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, UÇK, gjatë luftës në vitin 1998.

Radosheviçi i tha gjykatës me bazë në Hagë se pas arrestimit të tij në tetor 1998, ai fillimisht u mbajt në Shalë, më pas u dërgua në atë që ai mendonte të ishte një objekt paraburgimi i UÇK-së në Kleçkë.

Ai tha se “në 16 ditët që ishim atje, nuk u keqtrajtuam, përveç kur mbërritëm për herë të parë”. Ai pohoi se në një moment gjatë ndalimit të tij, një pjesëtar i UÇK-së i kishte drejtuar armën në gojë dhe në sy.

Dëshmitari tha se ai kishte menduar se ishte në Kleçkë sepse “dikush në rrugë po e përmendte Kleçkën” dhe gjithashtu, pas lirimit të tij të mëvonshëm, “në stacionin policor më 28 nëntor thanë se ju ndoshta jeni dërguar në Kleçkë”.

“Kurrë nuk kam pretenduar se ishte Kleçka, thashë se mendova se ishte”, shtoi dëshmitari.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me të pandehurit Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniçi, të gjithë ish-figura të larta të UÇK-së gjatë kohës së luftës, akuzohen se mbajnë përgjegjësi individuale dhe komanduese për krime përfshirë 102 vrasje që janë kryer kryesisht ndaj të burgosurve të mbajtur në objektet e paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipërinë fqinje.

Disa nga krimet në aktakuzë dyshohet se u kryen kundër dy gazetarëve serbë.

Sipas aktakuzës, “pas arrestimit të dy gazetarëve serbë më 18 tetor 1998 ose rreth kësaj date, Hashim Thaçi, së bashku me Fatmir Limajn, i morën në pyetje në Shalë”.

Në aktakuzë thuhet se rasti “tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe me këtë rast janë dhënë udhëzime specifike që dy të paraburgosurit të trajtohen mirë”.

Mirëpo, në një rast “një ushtar i UÇK-së i bërtiti njërit prej gazetarëve dhe i drejtoi një armë automatike në gojë dhe në sy”.

Aktakuza gjithashtu thotë se gazetarët më pas u transferuan në Kleçkë dhe u keqtrajtuan, pastaj në Lipjan, “ku disa anëtarë të UÇK-së i rrahën dhe kërcënuan njërin prej tyre me vdekje”, dhe më pas në “një vend të tretë, të panjohur, ku ata janë goditur me shkelma dhe/ose kërcënuar me vdekje”.

I pyetur të martën nëse pa Thaçin, Jakup Krasniçin apo komandantët e tjerë të zonës operative të UÇK-së në objektin e paraburgimit, Radosheviçi u përgjigj: “Nuk pashë asnjë prej tyre atje”.

Në aktakuzë po ashtu thuhet se “në një moment gjatë paraburgimit, këta gazetarë u informuan se ishin dënuar me burg, edhe pse nuk ishte mbajtur asnjë gjykim”.

Radosheviçi i tha gjykatës të hënën se ai nuk kishte marrë pjesë në asnjë gjyq, por gjatë kohës që ishte në paraburgim iu tha se “ne u dënuam me 61 ditë burg për shkak se kemi hyrë ilegalisht në Kosovë dhe nuk kishim tabela identifikimi të shtypit në makinë”.

Gjatë marrjes në pyetje nga avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, të martën dëshmitari pohoi se nuk ishte në dijeni se nevojitej ndonjë leje.

Në një seancë të mëparshme më 11 shtator, Kehoe theksoi se Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë kishte konfirmuar se Vladimir Dobriciç, i cili u arrestua nga UÇK-ja së bashku me Radosheviçin, ishte i dyshuar për krime lufte në Kroaci në vitin 1991.

Megjithatë, Radosheviçi i tha gjykatës se ai e njihte Dobriciqin vetëm si fotoreporter. Gjyqi vazhdon të mërkurën./BIRN