BALLKAN, 29 Nëntor 2022, 14:07

Kurti: Kriminelët e luftës jetojnë në Serbi, por Vuçiçi refuzon t’i dorëzojë

Kurti: Kriminelët e luftës jetojnë në Serbi, por

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Fabian Savioli, raportues Special i Kombeve të Bashkuara që t’i kërkojë Serbisë që kryerësit e krimeve t’i dorëzojë në Kosovë.

Sipas njoftimit për media nga Qeveria, Kurti po ashtu foli edhe për ndryshimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë për raste të krimeve të luftës, duke qenë se shumica e kryerësve të krimeve të luftës në Kosovë ndodhen në Serbi.

“Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë”.

“Ai veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre.

“Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës”.

Kurti shtoi përkushtimin e Qeverisë për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi.

Ai potencoi se na duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre.