BALLKAN, 6 Gusht 2024, 21:04

Kroacia nis të shesë shtëpitë e vjetra me çmime qesharake, kjo është arsyeja

Kroacia nis të shesë shtëpitë e vjetra me çmime

Keni ëndërruar ndonjëherë të keni një shtëpi në gadishullin e Istrias? Një qytezë historike në Kroaci shpreson të tërheqë banorë të rinj duke shitur objekte të vjetëruara në pronësi të qytetit, në qendrën e tij mesjetare.

Blerësit mund ta shtyjnë pagesën deri në dy vite, nëse angazhohen për t’u zhvendosur në këtë qytet dhe për ta rinovuar banesën. Kostot e punimeve do t’u zbriten nga çmimi i blerjes së objektit.

Qyteza historike kroate Vodnjan gjendet në gadishullin e Istrias. Dikur kishte rreth 10 mijë banorë, tashmë kanë mbetur më pak se 6 mijë.

Deri në Luftën e Dytë Botërore, zona ishte pjesë e Italisë dhe banohej kryesisht nga italianë. Por pas luftës, qyteza që quhej në atë kohë Dignano, u bë pjesë e ish-Jugosllavisë komuniste dhe vuajti pasojat e shpopullimit. Numri i banorëve vazhdoi të bjerë edhe pasi Kroacia fitoi pavarësinë në vitin 1991 dhe në vitet e fundit popullsia po tkurrej me 5% në vit. Rrugët janë tashmë të zbrazëta dhe objektet e banimit dhe ato tregtare qëndrojnë bosh.

Këshilli bashkiak vendosi të tërheqë banorë dhe biznese të reja. Duke ndjekur shembullin e qyteteve të tjera evropiane, në Vodnjan po shiten tashmë me çmim të ulët objektet në pronësi publike që janë lënë pas dore. Blerësve u lejohet të mos paguajnë asgjë për dy vite, ndërsa angazhohen të zhvendosen aty dhe të rinovojnë pronën e blerë. Madje qyteti do t’ua zbresë kostot e punimeve nga çmimi i blerjes së pronës, që në shumë raste mund të rezultojë pothuajse falas. Për 14 godinat e para të nxjerra në ankand, u paraqitën menjëherë 140 aplikime.

“E gjithë ideja është të nxisim rritjen e qytetit. Nga 100 mijë banorë që ka patur dikur, tashmë kemi 5850. Pra megjithëse kishte më pak godina rreth 70 vite më parë, numri i njerëzve ishte atëherë dyfishi i popullsisë së tanishme”, thotë Edi Pastrovicchio, kryebashkiak i Vodnjanit.

Ai thotë se qyteti mund të ofrojë shumë më tepër se thjesht prona me çmime të ulëta.

“Ka mundësi këtu, ka turizëm. Shumë njerëz vendosin të qëndrojnë dhe të punojnë këtu. Kemi të rinj që kanë bizneset e tyre të vogla, shumë prej të cilave lidhen me turizmin. Kemi edhe sektorin bujqësor, në veçanti kultivimin e ullinjve. Ka potencial për më shumë në një zonë të re biznesi që nuk është çelur ende. Pra, ka mundësi për rritje”, thotë zoti Pastrovicchio.

Qyteti Vodnja ka gjithashtu edhe një ritëm të qetë, thonë banorët.

“Është mirë të jetosh në Vodnja. Më pëlqen ritmi i qetë i jetës dhe nuk më kanë tërhequr ndonjëherë qytetet e mëdha, me gjithë zhurmën dhe kaosin e tyre. Vodnja ofron një mënyrë të këndshme jetese, me një ritëm të qetë dhe të thjeshtë”, thotë banori Marino Morozin.

Qyteti ka një panoramë tërheqëse rurale dhe gjendet rreth 10 kilometra larg portit Pula dhe 5 kilometra larg bregdetit. Matija Debeljuh është artist dhe ka në pronësi një galeri. Ai thotë se skema e propozuar nuk mjafton.

“Ideja e qytetit për të ofruar godinat që ka në pronësi është një hap drejt krijimit të një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë. Disavantazhi më i madh është se duhet të shkosh në Pula për çdo gjë. Qyteti duhet të bëjë më shumë për t’i përfshirë të rinjtë, gjatë gjithë vitit, për familjet e reja, për fëmijët. Në mënyrë që njerëzit që vendosin të qëndrojnë në Vodnjan, pasi të kenë zgjidhur çështjen e strehimit, të kenë disa aktivitete që mund të ndjekin”, thotë zoti Debeljuh.

Për momentin, qyteti Vodnjan shpreson se skema e re për pronat do të shërbejë si një fillim i ri dhe do t’i rikthejë qytetit energjinë e dikurshme./VOA