TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Autoritetet kosovare kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile mëngjesin e së shtunës në qytetin juglindor Gjilan, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha në një reagim se të arrestuarit janë serbë të Kosovës dhe i hodhi poshtë akuzat e autoriteteve kosovare, duke e kritikuar kryeministrin e Kosovës për “terrorizimin e serbëve të Kosovës”.
Në një njoftim për media, Prokuroria tha se ata u arrestuan gjatë një aksioni të përbashkët të institucioneve të sigurisë dhe vjen pas një hetimi disamujor.
Ata dyshohet se ishin përfshirë në krime lufte si, vrasjen, plagosjen dhe maltretimin e civilëve në fshatrat Llovcë, Pogragjë dhe Uglar në prill të vitit 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë, sipas njoftimit.
“Në kuadër të këtij aksioni… janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999… me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare”, thuhet në njoftim.
Prokuroria i akuzon ata edhe për rrëmbim, përdhunim, rrahje, troturim fizik dhe psiqik të civilëve, si dhe për plaçkitje, shkatërrim dhe djegie të pronave të shqiptarëve.
Prokuroria shtoi se, për personat e lartcekur. do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve.
Pretendimet e Prokurorisë kosovare janë mohuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila në një reagim tha në një reagim se të arrestuarit janë njerëz “të cilët kanë jetuar paqësisht për vite, pa probleme në pragjet e dyerve të tyre”.
Ajo gjithashtu e akuzoi Policinë e Kosovës për përdorimin e “dhunës” gjatë arrestimeve, pa dhënë ndonjë dëshmi për këtë.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se ka ngritur 33 akuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./REL