TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kongresisti republikan Zach Nunn ka reaguar ndaj Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Nunn me anë të një postimi në Twitter ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë me Kosovën.
“SHBA: Qëndroni me Kosovën, një demokraci të re dhe një aleat të palëkundur të SHBA-ve – të dyja duke u vendosur jashtë vendit dhe duke mirëpritur të evakuuarit afganë (një nga miqtë e vetëm evropianë)”, ka shkruar Nun.
Ai ka shtuar se sekretari Antony Blinken duhet t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë.
“Sekretari Blinken duhet t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë”, ka përfunduar ai.
Dy ditë më parë edhe kongresmeni Richie Torres shprehu zhgënjimin e tij me deklaratat e Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me ngjarjet e ditës së premte në veri të Kosovës.
Ai tha se Kosova është aleat i palëkundur dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë për llogari të SHBA-së.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin shtete për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që pranoi. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai, duke rishpërndarë deklaratën e Blinkenit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Me anë të një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.