BALLKAN, 11 Janar 2023, 13:50

Halimi: Për të mbuluar paaftësinë qeverisëse, Lëvizja Vetëvendosje i kthehet propagandës

Halimi: Për të mbuluar paaftësinë qeverisëse,

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi në një konferencë për media ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, i është kthyer zakonit të propagandës duke targetuar kundërshtarët politikë sa herë që duhet të jap përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Sipas saj, partia në pushtet e njeh mirë propagandën, pasi që vazhdimisht merret me të kaluarën.

“Në sfidat që po kalojmë partia në pushtet po merret me propagandë, në vend se të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat po ballafaqohen qytetarët tanë. Dje, ishim dëshmitarë se si pushteti që i ka krejt, ju kthye zanatit të vetë si i vetmi mjet i artikulimit politik”, ka thënë Halimi.

Kurse, theksoi se ata që pësojnë janë vetëm qytetarët.

“Propaganda e partisë në pushtet vazhdimisht i kthehet të kaluarës për t’i ikur përgjegjësive dhe ta mbulojë paaftësinë qeverisëse, mungesën e rezultateve të partisë në pushtet më së miri e përjetojnë qytetarët tanë në përditshmërinë e tyre”.

Ndërsa kritikoi ekzekutivin edhe për krizën ekonomike, duke u shprehur se e kanë “ngulfatur” ekonominë me inflacionin më të lartë.

“Kur flasim për ekonominë, shifrat flasin ndryshe pasi për gjatë dy vjetëve kemi pasur vetëm ngecje. Ekonomia është ngulfatur dhe vetëm 9 për qind të buxhetit për investime kapitale është shfrytëzuar që i bie se janë 700 milionë euro më pak në qarkullim vlera e të cilave po humbet çdo ditë”.

“Po ashtu, kemi inflacion prej 20 për qind që është ndër më i larti në Evropë, si rezultat i mosveprimit të qeverisë sot produktet ushqimore janë dyfishuar në çmim për dallim nga viti i kaluar ndërsa propozimet e LDK-së kundër inflacionit janë hedhur poshtë. Gjatë qeverisjes së tyre më së shumti ka pasur rritje të importit nga Serbia prej 370 milionë euro”, tha Halimi.

Edhe në të kaluarën Halimi ishte treguar kritikuese ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ajo kishte thënë se Qeveria di të bëjë vetëm propagandë e videoklipe.