BALLKAN, 29 Janar 2023, 21:10

Gruaja vret në sy të djalit bashkëshortin në Itali

Gruaja vret në sy të djalit bashkëshortin në Itali

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Itali, ku një grua ka vrarë bashkëshortin e saj teksa kanë qenë duke ngrënë darkë.

Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në Nuvolento, në provincën e Brescia-s në Itali.

Një zënkë e momentit i kushtoi jetën Romano Fagoni-t, 59 vjeç, i cili u godit disa herë me thikë në fyt nga bashkëshortja e tij.

Raffaella Ragnoli, 3 vjet më e re se viktima, u arrestua nga policia italiane. Gjithashtu mësohet se në momentin kur ndodhi ngjarja e rëndë, i pranishëm ishte edhe djali 15-vjeçar i çiftit. Ishte pikërisht i mituri që telefonoi shërbimet e emergjencës.

Zënkat duket se ishin të shpeshta kohët e fundit në familjen Fagoni. Gjatë darkës gruaja mori një thikë dhe e goditi të shoqin në fyt.

Përveç djalit të mitur, çifti kishte edhe një vajzë të madhe, e cila nuk jetonte më me prindërit.