TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Turizmi në Greqi për verën e vitit 2022 kërcënohet nga mungesa e stafit dhe kostot e energjisë.
Turizmi është industria kryesore që i siguron Greqisë një të katërtën e të ardhurave kombëtare. Një numër rekord turistësh pritet këtë vit pas heqjes së të gjitha kufizimeve të lidhura me koronavirusin.
Megjithatë, sipas Andreas Andreadis, kryetar i Shoqatës së Ndërmarrjeve Greke të Turizmit (SETE), aktualisht ky sektor ka mungesë të mbi 50,000 punonjësve kryesisht për në kuzhinë apo në shërbim të klientit.
“Turizmi ynë cilësor është në rrezik”, shkroi ai në Twitter në muajin prill.
Mungesa e stafit është befasuese në një vend që ka një nga normat më të larta të papunësisë në Evropë, shkruajnë mediat greke.
Sipas statistikave të fundit të muajit shkurt, shkalla e papunësisë në Greqi është 12.8 për qind. Shkalla e papunësisë tek personat me moshë 15 deri në 24 vjeç është 31.1 për qind.
Por cilat janë arsyet e mungesës së stafit në Greqi?
Pronarët e hoteleve në të gjithë vendin përballen me mungesa akute pas dy viteve kufizimesh nga pandemia që kanë bërë që një numër i madh punonjësish të kërkojnë punë diku tjetër.
Megjithatë, siç tha presidenti i Federatës së Punëtorëve të Turizmit dhe Mikpritjes, Giorgos Hotzoglou, vendet e lira janë të pritshme, sepse kushtet e punës dhe pagesat në sektorin e turizmit janë veçanërisht të këqija.
“Punëdhënësit ndryshojnë nga biznesi në biznes. Por, jo të gjithë ofrojnë paga të përshtatshme që punonjësi sezonal të vendosë të shkojë në një ishull për punë,” tha Hotzoglou duke folur për ThessNews.
“Kompanitë e turizmit [që] reklamojnë për stafin e verës në Mykonos, Santorini ose Paros, po ofrojnë një pagë 700 euro plus akomodim dhe ushqim për shtatë ditë punë, deri në 12 orë në ditë,” tha Hotzoglou.
Ai shtoi se me “këto paga punonjësit me të drejtë po refuzojnë ofertat e punës”.
Hotzoglou vuri në dukje gjithashtu se një faktor tjetër që krijon mungesën e stafit në industrinë greke të turizmit është se qeveria nuk ofron shtrirjen e përfitimeve të papunësisë për punëtorët edhe gjatë muajve të dimrit.
Si rezultat, tha ai, shumë punëtorë kërkuan punë jashtë vendit, ndërsa të tjerët u kthyen në industri të tjera.
Muajin e kaluar, Ministri i Turizmit Vassilis Kikilias sugjeroi se disa nga këto vende vakante mund të plotësoheshin nga mbi 22,000 refugjatët nga Ukraina që kanë hyrë në Greqi që nga pushtimi i Rusisë në shkurt.
Greqia po lëshon leje qëndrimi të përkohshme për refugjatët ukrainas të cilët do të mund të qëndrojnë dhe të punojnë në vend për një vit.
Shpenzimet spirale të energjisë godasin turizmin në Greqi
Inflacioni në Greqi, i nxitur nga rritja e çmimit të energjisë, është rreth tetë për qind, sipas agjencisë së të dhënave të BE-së, Eurostat.
Ndërsa kostot e energjisë dhe ushqimit janë rritur, hotelierët thonë se po “luftojnë për të mbijetuar”.