BALLKAN, 22 Shkurt 2023, 16:55

Gjykata Speciale kontroll të befasishëm në shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit

Gjykata Speciale kontroll të befasishëm në shtëpinë e

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale kanë bastisur të mërkurën banesën e Adil Behramajt, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi. Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar të komentojë rreth këtij aksioni.

Avokati i Behramajt, Artan Qerkini, ka thënë se bastisja ka nisur në mëngjes. “Pa përfunduar s’mund të them asgjë”, ka deklaruar ai. Ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Artan Behrami, e ka cilësuar këtë bastisje si “skandal të paprecedentë”.

“Bastisja e banesës së mikut tonë dhe udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, Adil Behramajt nga Prokuroria e Gjykatës Speciale është një skandal i paprecedent. Ky është një kërcënim i hapur ndaj gazetarëve dhe lirisë së mediave në Kosovë. Pa paragjykuar motivet, frikësimi i gazetarëve nuk i bënë nder Prokurorisë Speciale!” ka shkruar ai në Facebook.

Ish-presidenti Hashim Thaçi është një nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen nga Specialja për krime lufte.