BALLKAN, 20 Shkurt 2023, 19:13

Foto e McGonigal me ish-ambasadoren trazon edhe Kosovën, Vetëvendosje: Vlora Çitaku na njofto për lidhjet dhe takimet me këtë person

Foto e McGonigal me ish-ambasadoren trazon edhe Kosovën, Vetëvendosje:
Charles McGonigal dhe Vlora Çitaku

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kërkuar sqarime nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, lidhur me takimin e saj me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, i cili në janar është arrestuar në SHBA, nën dyshimet se kishte punuar me një oligark rus të sanksionuar pasi ai doli në pension dhe se ka fshehur qindra mijëra dollarë që mori nga një ish-punonjës i një agjencie të inteligjencës shqiptare.

Sipas Abrashit të gjithë shqiptarët tashmë janë të njohur për “rastin Mcgonigal”, ish-shefin e kundërzbulimit të FBI-së dhe lidhjen që sipas tij ai kishte me politikanë shqiptarë si dhe me oligarkë rusë.

“Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike ... Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, ka shkruar Abrashi në Facebook, ka shpërndarë edhe fotografi të takimit ku pjesë kanë qenë McGonigal e Çitaku.

Atij i është kundërpërgjigjur nënkryetarja e PDK-së. Statusin e Abrashit, Çitaku e ka quajtur “përpjekje qesharake të ekspontëve të VV-së për të shpërndarë mjegull”.

Ajo ka sqaruar se më 4 tetor të vitit 2017 ka qenë e ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI-së për siç ka thënë, rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. “Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc. Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës”, ka shkruar Çitaku. “E tash, si e keni Martinin?”, ka shkruar ajo duke aluduar në amabasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin mendiat sllovene kanë raportuar se është i përfshirë në një skandal financiar. Ajo ka shpërndarë edhe njoftimin e Abnasadës së Kosovës në Washington për atë takim.

Siç ka raportuar CNN McGonigal po akuzohet për fshehjen e lidhjeve që kishte me personin që dekada më parë punonte për një agjenci të inteligjencës shqiptare, duke përfshirë marrjen e 225 mijë dollarëve nga ai.

Prokurorët pretendojnë se gjatë disa udhëtimeve jashtë vendit në Shqipëri, Austri dhe Gjermani, McGonigal fshehu një takim me kryeministrin e Shqipërisë, një politikan kosovar dhe të tjerë.

Në një takim, prokurorët pretendojnë se McGonigal i kërkoi kryeministrit të Shqipërisë të ishte "i kujdesshëm në lidhje me dhënien e licencave për kërkime për naftë në Shqipëri, nga kompanitë ruse.

CNN shkruan se ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare që i pagoi atij 225 mijë dollarë kishte një interes financiar në vendimin e Qeverisë rreth kontratave.

Agjenti special McGonigal, që drejtonte divizionin e kundërzbulimit të FBI-së në New-York gjatë periudhës 2016-2018, akuzohet edhe se bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që tashmë punonte si përkthyes për miliarderin rus Oleg Deripaska.

McGonigal, i cili drejtonte hetimet për oligarkët rusë, përfshirë Deripaska, akuzohet se përpara se të dilte në pension në vitin 2018, punoi për të hequr sanksionet ndaj tij në vitin 2019 dhe se mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival.

Prokurorët pretendojnë se ai u takua për herë të parë me përkthyesin rus, Shestakov, në vitin 2018, ndërsa ishte në FBI nëpërmjet një oficeri të inteligjencës ruse, i njohur më parë si diplomat i Ministrisë së Punëve të Jashtme i Bashkimit Sovjetik dhe Federatës Ruse.

McGonigal, punoi në FBI për 22 vjet dhe në vitin 2018 doli në pension.