BALLKAN, 17 Prill 2023, 20:28

Foli shqip në takimin me homologun spanjoll, opozita maqedonase kërkon largimin e ministrit Osmani: Të mbajë përgjegjësi penale!

Foli shqip në takimin me homologun spanjoll, opozita maqedonase kërkon

Partia opozitare VMRO-DPMNE ka kërkuar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së veriut Bujar Osmani të japë dorëheqjen, pasi në takimin e fundit me kolegun spanjoll, ka folur vetëm në gjuhën shqipe.

VMRO-DPMNE kërkon gjithashtu që Osmani të mbajë përgjegjësi penale pasi sipas tyre ka dëmtuar reputacionin e shtetit.

“Nga takimi zyrtar i Osmanit me Ministrin e Punëve të Jashtme të Spanjës përmes konferencës për media, shihet qartë se Osmani përdor vetëm gjuhën shqipe, edhe pse është e qartë se cila është gjuha zyrtare e Maqedonisë për përdorim ndërkombëtar e përcaktuar me Kushtetutë. Kjo sjellje është shkelje e Kushtetutës së vendit, por edhe e vetë Marrëveshjes kornizë”, deklaroi Maria Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Në konferencën për shtyp, Osmani e filloi fjalimin në gjuhën maqedonase, e më pas e përsëriti të njëjtën përmbajtje në gjuhën shqipe, që për të tashmë një periudhë të gjatë është praktikë.

Nga Ministria e Jashtme i mohojnë akuzat e opozitës. Nga atje thonë se gjatë festave të Pashkëve, VMRO-DPMNE-ja krijon tensione dhe ndarje etnike në shoqëri përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve të sajuara.