BALLKAN, 11 Dhjetor 2023, 12:22

Dyshohet se siguroi armën për autorin, gjykata cakton masën e sigurisë për të arrestuarin e katërt për vrasjen e Liridona Ademajt

Dyshohet se siguroi armën për autorin, gjykata cakton masën e

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për Tomë Dodajn, të dyshuarin e katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T.D për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Dodaj dyshohet se ia ka shitur armën Naim Murselit dhe Granit Plavës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M.”

Raportimet fillestare pohuan se Liridona Ademaj u vra nga disa grabitës, teksa po udhëtonte me makinë së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj.

Ata ishin duke u kthyer në shtëpi pasi kishin dalë për darkë, ndërsa pranë shtëpisë e del përpara një person me armë, i cili i kërkon të japë çfarë kishin me vete, në këtë moment Naim Murseli merr dy fëmijët dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa autori qëllon për vdekje Liridonën në makinë.

Detajet e para të natës tragjike morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e viktimës.

Bashkëfshatari i Naim Murselit, Granit Plava ishte i pari që pranoi në polici se për vrasjen e kishte porositur Naimi dhe i kishte premtuar 30 mijë euro, 15 prej të cilave ia kishte dhënë para krimit dhe 15 të tjera do t’ia jepte pas krimit.

Një gjë të tillë e pranoi më vonë edhe vetë Naim Murseli, pa treguar shkaqet se pse e bëri një gjë të tillë.

Sipas dyshimeve të familjarëve, shkak mund të ketë qenë, shumë e madhe që i garantonte siguracioni që Liridona kishte në Suedi, në rast të një tragjedia, si ajo që ndodhi, shumë e cila kapte vlera të mëdha monetare.

Ditën e premte, 1 dhjetor, ai i dha lamtumirën nënës së djemve të tij duke i organizuar edhe ceremoninë mortore në fshatin e tij në Cërmjan të Gjakovës.

Naim Murseli, priti dhe përcolli me dorën në zemër miq, të afërm e familjarë të tyre, që shkuan për ngushëllime, si edhe shoqëroi kortezhin drejt banesës së fundit të Liridona Murseli.

Por vetëm disa orë pas ceremonisë së varrimit të 30-vjeçares, Naim Murseli u vendos në pranga së bashku me bashkëfshatarin e tij, Granit Plava dhe nipin, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.

Ndërkohë është gjetur arma e krimit  me të cilën dyshohet se u vra Liridona Murseli, si edhe makina e përdorur nga autorët.

Ende nuk dihet roli i anëtarit të FSK, Kushtrim Kokalla në ngjarjen e rëndë, që dyshohet se u porosit nga daja i tij.

Liridona, me kërkesë të familjes, u zharros nga Gjakovë dhe u rivarros sërish në fshatin e saj.