TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestagun gjerman, deputetja e Partisë Liberale Gjermane (FDP) Renata Alt, ka reaguar pas deklaratës së Aleksandër Vuçiç se nuk ka dëgjuar nga asnjë zyrtar i BE-së se kërkohet njohje reciproke nga bisedimet me Kosovën.
“Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke. Ne kurrë më herët nuk kemi dëgjuar nga askush nga Evropa se po kërkohet njohja reciproke. Këtë e dëgjuam sot në konferencën për gazetarë në Prishtinë”, tha Vuçiç pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeja e Bundestagut gjerman Renata Alt, përmes një postimi në Tëitter, duke thënë se “Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohje të Kosovës është skandaloz”.
“Negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me Republikën e Serbisë duhet të ngrihen. Aleksandar Vuçiç na paska mashtruar për një kohë të gjatë”, ka shkruar Alt, transmeton Telegrafi.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz sot në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog, duke kërkuar kështu nga të dyja palët zotim të qartë, konstruktivitet dhe pragmatizëm.
Scholz theksoi se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe se marrëveshja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.
“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane… E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës”, tha ai.
Kancelari gjerman tha më tej se është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën.