BALLKAN, 5 Shkurt 2022, 10:58

Bie qeveria e Malit të Zi, Deutsche Welle: Mocioni i mosbesimit i hap rrugë emërimit të një kryeministri shqiptar

Bie qeveria e Malit të Zi, Deutsche Welle: Mocioni i mosbesimit i hap

Kuvendi në Podgoricë pas disa orë debatesh votoi mocionin e mosbesimit për qeverinë 42 të Malit të Zi, kryeministër i së cilës ishte Zdravko Krivokapiç.

Për rrëzimin e qeverisë votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11. Gjithsej votuan 54 deputetë.

Pro votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviçit dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis, ndërkaq deputetët nga Fronti Demokratik, ata të Lëvizjes për ndryshime dhe deputetët e Partisë Socialiste popullore nuk ishin të pranishëm gjatë votimit.

Në seancën e kuvendit u dëgjuan akuza të rënda në adresë të deputetëve të URA-s të cilët u akuzuan për tradhëti. Për Demokratët ajo që iniciuan ata është në “kundërshtim me verdiktin e qytetarëve të shprehur më 30 gusht të vitit 2020.

Nënkryetari i URA-s, Millosh Konatar tha, se të shtunën (5.02) do të fillojnë bisedimet bilaterale për formimin e qeverisë së re, fillimisht me përfaqësuesit e shumicës, e më pas me subjektet e tjera në parlament. Konatar, numri dy i partisë së Dritan Abayoviç, u tha gazetarëve se nuk është folur se kush do të jetë mandatari i qeverisë së re, por ai do të dëshironte që në postin e kryeministrit të jetë Dritan Abazoviç.

Për deputetët e DPS –it qeveria e Krivokapiçit ka bërë ç’mos që të shkatërrojë interesat shtetërore të Malit të Zi. Gjatë momentit të votimit të mocionit ndaj qeverisë në rrugët e Podgoricës, veçanërisht pranë ndërtesës së parlamentit, vëreheshin forca të shtuara policore.

Megjithëse situata duket e qetë interesimi i ekipeve televizive dhe gazetarëve ishte shumë i madh, ndaj pritet se cilët do të jenë hapat e ardhshëm të nismëtarëve të votebesimit, respektivisht të Dritan Abazoviç.

Menjëherë pas rënies së qeverisë në Podgoricë dhe në disa qytete të tjera të Malit të Zi u festua me fishekzjarrë dhe parrulla “e viva Montegero” (Rroftë Mali i Zi).

Ndërkohë disa media tashmë kanë paralajmëruar se mandatari i ri për kryeministër pritet të jetë Dritan Abazoviçi. /Deutsche Welle