BALLKAN, 27 Gusht 2023, 19:18

Analiza e REL: Paratë e diasporës, “infuzion” për ekonominë

Analiza e REL: Paratë e diasporës, “infuzion” për

“Realisht, varemi shumë nga diaspora. Të gjitha bizneset i presin këta muaj”, thotë Kujtim Behluli, përfaqësues i një qendre tregtare në Suharekë.

Gjatë muajve të verës, thotë ai, shitjet rriten për më shumë se 50 për qind.

Në veçanti nga data 20 korrik deri më 15 gusht, shitjet dallojnë shumë nga muajt e tjerë të vitit, thotë Behluli.

Vizitat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës janë më të shumta gjatë verës.

Vetëm në korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” janë regjistruar 400 mijë hyrje-dalje. Flukse të mëdha njerëzish ka pasur edhe në kufijtë tokësorë.

Zvicra, Gjermania dhe Austria janë destinacionet me më së shumti udhëtarë dhe fluturime. Këto janë edhe tri shtetet ku diaspora e Kosovës është e përqendruar më së shumti.

Diaspora ringjall hotelerinë e turizmin

Hysen Sogojeva, udhëheqës i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë sektor e ringjall “fluksi i madh i mërgimtarëve”.

“Mjetet që ata i shpenzojnë në Kosovë, janë infuzion për ekonominë, e më së shumti për hotelerinë dhe gastronominë”, thotë Sogojeva për Radion Evropa e Lirë.

Nga vizitat në biznese të ndryshme, ai thotë se pothuajse secili prej tyre ka raportuar rritje të numrit të vizitorëve për më shumë se 25 për qind.

“Mezi ka mbijetuar ky sektor, por tani fluksi i diasporës ka bërë që këto biznese ta rimarrin veten”, thotë Sogojeva, duke iu referuar periudhës së pandemisë COVID-19.

BQK: Të hyrat nga diaspora, faktor i rëndësishëm për ekonominë

Nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë për Radion Evropa e Lirë se diaspora e Kosovës ka një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes dërgimit të remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bëjnë gjatë pushimeve në Kosovë.

Në vitin 2022, vlera e remitencave apo e parave të dërguara nga diaspora në Kosovë ka arritur në 1.22 miliard euro, që do të thotë 6.0 për qind më shumë se vitin paraprak, ndërsa vlera e shpenzimeve që diaspora ka bërë në Kosovë ka qenë afro 2 miliardë euro.

“Gjatë vitit 2022, remitencat kanë përbërë rreth 13.7% të Bruto Produktit Vendor (BPV), shërbimet e udhëtimit rreth 20.9 % dhe investimet e huaja direkete në patundshmëri rreth 5.3 %.

Në total, ato përbëjnë rreth 40% të BPV-së”, thuhet në deklaratën e BQK-së, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti vlera e remitencave ka qenë 632.9 milionë euro, ndërsa vlera e shpenzimeve të diasporës, në pesë muajt e parë të vitit, ka qenë mbi 593 milionë euro.

Bazuar në këto të dhëna, sipas BQK-së, të hyrat nga diaspora janë një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike, e cila vitin e kaluar ka arritur në 3 për qind.

Ngjashëm pohon edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, njëherësh ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Përveçse i kontribuojnë rritjes ekonomike, thotë ai, mjetet e diasporës shërbejnë si të ardhura shtesë për njerëzit në nevojë.

“…dhe jo të gjitha këto mjete evidentohen, disa hyjnë edhe në mënyra që nuk arrijnë të regjistrohen”, thotë Shatri.

“Dërgoj para çdo muaj”

Në muajin korrik, REL-i bisedoi me disa qytetarë nga diaspora, që vizituan ambientet e Kuvendit të Kosovës, gjatë aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”.

Pothuajse të gjithë nga ta thanë se dërgojnë para çdo muaj për familjet e tyre në Kosovë.

“Kam motrat këtu dhe nënën dhe më duhet t’i ndihmoj. Dërgoj para çdo muaj. Edhe për mua është vështirë t’i ndaj ato mjete që i dërgoj në Kosovë, por punojmë shumë dhe ia dalim”, tha Hysni Makovci, i cili jeton në Gjermani nga viti 1999.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000. /REL