BALLKAN, 24 Shkurt 2022, 13:27

“Agresioni më i madh ushtarak që nga Lufta e Dytë Botërore”- Kurti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, e trishtë për Europën. Kosova e orientuar me BE-në e NATO-n

“Agresioni më i madh ushtarak që nga Lufta e Dytë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kurti ka thënë se Kosova është e orientuar me BE-në e NATO-n, e po ashtu edhe me SHBA-në e Mbretërinë e Bashkuar, në përkrahje të popullit të Ukrainës.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë. Në këto çaste ku jemi ne në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës, dhe jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës.

Mbrëmë kemi marrë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë ku kemi diskutuar për situatën aktuale dhe masat që duhet t’i marrim në mënyrë që orientimi jonë euro-atlantik të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm”, ka thënë Kurti.