AKTUALITET, 18 Mars 2020, 21:23

Babai i "pacientit zero" rrëzon autoritetet : Nuk më infektoi djali, isha sëmurë përpara se ai të kthehej nga Italia

Babai i "pacientit zero" rrëzon autoritetet : Nuk më

Babai i personit që është etiketuar nga autoritetet si "pacienti zero" i infektuar me koronavirus, ka komunikuar në një lidhje direkte me emisionin “Arena” në Ora News, nga spitali. Ai tashmë është shëruar nga koronavirusi, por zbulon se ka qenë ai, që ka infektuar të birin dhe jo anasjelltas. Nëse kjo është e vërtetë, rrëzohet versioni i autoriteteve, se djali i tij është pacienti zero.

V. Kola u shpreh se ishte sëmurë me temperaturë, përpara se i biri të kthehej nga Italia. Ai gjithashtu tha se i biri ka qëndruar në Firence me miqtë e tij, por asnjë prej tyre nuk rezulton i infektuar me koronavirus. Nëse kjo që ka deklaruar zoti Kola, rezulton e vërtetë, atëherë në Shqipëri ende nuk është gjetur pacienti zero.

Pjesë nga intervista:

Pacienti: Nuk e kam përdorur shumë telefonin, nuk jam njeri i mediave, por e mora guximin të dal në këtë intervistë për të sqaruar opinionin publik.  Desha të falenderoj të gjithë stafin e spitalit, urgjencën, që na shërbyen në mënyrë perfekte.  Desha të përgënjeshtroj zotin Besnik Mustafaj, për sjelljen tonë të keqe ndaj mjekëve, nuk është aspak e vërtet.

Gazetari: Si ishte të jetoje me koronavirusin?

Pacienti: E përjetova një gjë që nuk ja uroj kurrë njeriu në këtë jetë. Ju them me bindje të plotë, që përjetimi është më i frikshëm. Më shumë është frikë, ankth, që vjen nga lajmet dhe mediat, por është grip fare normal.

Gazetari: Sa herë në ditë ju jepnin ilace?

Pacienti: Një herë në 12 orë, terapia kryesore.

Gazetari: Po ushqimin, ja u linin tek dera?

Pacienti: Jo na e kanë sjellë tek krevati, janë heronj, njerëzit më të nderuar.

Gazetari: A takoheshit me të afërmit?

Pecienti: Jo, jo.

Gazetari: Në një dhomë keni qenë me djalin?

Pacienti: Po, në një dhomë. Djali e ka përjetuar më shumë, por është në gjendje të mirë.

Gazetari: Kur do dilni?

Pacienti: Nuk e di ende, nuk e kemi këtë informacion.

Gazetari: Cilat ishin pasojat e sëmundjes, cfarë ishte ky virus?

Pacienti: Unë fillimisht para se të vinte djali kam pasur shenja, nuk e ka sjellë djali, nuk e di ku e kam marrë në Shqipëri. Djali ka ardhur shum mirë nga Italia, ai ka qëndruar me të afërm në Itali, dhe asnjëri nuk është me koronavirus. Ka hipur në Firence dhe ka ardhur në Tiranë me datë 25. Nuk ka ndaluar fare. Mirëpo unë, dy ditë para tij kam pasur dhimbje koke dhe temperaturë, marrje mendsh, shtrëgim gjoksi, pastaj e ka kapur edhe djalin.

Gazetari: Tek spitali Amerikan nuk ju pranuan?

Pacienti: Na pranuan, na dhanë ca ilace dhe dolëm prej aty.

Gazetari: Kur shkuat në infektiv ju, si ju pritën?

Pacienti: Ne shkuam në shtëpi, erdhi një njeri na bëri testi. Kur dolëm pozitiv na mori ambulance në shtëpi. Nga spitali nuk kemi lëvizur deri sot që po flasim.

/TPZ.al/