AKTUALITET, 1 September 2026, 13:20

Rregullorja e GJKKO, avokatët kundër: Kufizohet e drejta e mbrojtjes, celulari është studioja jonë lëvizëse! Presim përgjigje, më pas do të vendosim

Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka kundërshtuar rregulloren e re të GJKKO-së, ku avokatët preken nga disa nene, mes tyre edhe ai që ndalon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit.

Në një komunikim me gazetarët, avokati Haxhia e ka cilësuar rregulloren si një kufizim të hapur të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të së drejtës së mbrojtjes.

Haxhia tha se Dhoma e Avokatisë ndihet e ofenduar që një akt i tillë është përgatitur pa u konsultuar me përfaqësuesit e avokatëve.

“Lidhur me këtë rregullore që ne e kundërshtojmë, në radhë të parë ndihemi të ofenduar që përgatitet një akt i tillë që kufizon haptazi të drejtën e mbrojtjes për të ushtruar profesionin e avokatit në sallat e gjyqit. Ajo që është kryesorja, prisnim që të paktën të konsultohej me Dhomën e Avokatisë. Edhe pse nuk ishim optimist sepse është një trajtim në vazhdimësi që i bëhet Dhomës. Me keqardhje konstatojmë se nuk ka një ambient ku avokatët të rrinë gjatë seancave. Kjo tregon vlerësimin që ka ky institucion për Institutin e avokatisë.

Rregullorja në 3 nene kufizon përdorimin e celularit në sallën e gjyqit, jo në aspektin për të folur, por për të punuar dhe administruar dhe sjellë në dobi të ushtrimit të avokatit. Kjo bie ndesh me stadin e jetës së shoqërive në mbarë botën, ku elektronika është një ndihmë e madhe. Celulari është një studio lëvizëse e jona, e kemi mjet pune”, tha avokati Haxhia.

Haxhia bëri të ditur se Dhoma e Avokatisë i është drejtuar titullarit të gjykatës dhe pret një përgjigje në ditët në vijim, por paralajmëroi se çështjen do ta cojne edhe ne gjykate, per ta goditur, siç tha ai, edhe në rrugë gjyqesore.

“Dhoma e Avokatisë funksionon me struktura. Ne po presim këto ditë një reagim në përgjigje të kërkesës që i kemi bërë titullarit të gjykatës dhe pastaj në fundjavë do mblidhet komiteti drejtues për të përcaktuar qëndrimet e mëtejshme. Qëndrimi jonë është i unifikuar me qëndrimin e medias. Ne do ta çojmë edhe në gjykatë për ta goditur edhe në rrugë gjyqësore”, tha ai duke theksuar se asnje rregullore nuk mund te kufizoje nje te drejte kushtetuese.