AKTUALITET, 27 Dhjetor 2018, 09:18

Atentati në Laprakë, policia mësyn në banesën e autorit

Atentati në Laprakë, policia mësyn në banesën e autorit

Një ditë pas atentatit që ndodhi në Laprakë, ku një 17-vjeçare mbeti e vrarë dhe u plagos i dashuri i saj, policia ka ushtruar kontrolle në banesën e autorit të dyshuar.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘Balkanweb” se 19-vjeçari i dyshuar si autor i vrasjes së Briselda Gjikola, 23-vjeçari Erion Bengo nuk është gjetur në banesën e tij.

Motivi i kësaj ngjarje sipas policisë është një konflikt që 2 djemtë kanë pasur me njeri-tjetrit para një jave. 19-vjeçari ka ngacmuar Briselden dhe i dashuri i saj e ka qëlluar.

19-vjecari jeton në Laprakë shumë pranë vendit të ngjarjes. Aktualisht po vijojnë kontrollet. Policia dhe prokuroria po hetojnë dhe për pista te tjera. Po kalohet në filtër e shkuara e të gjithë protagonistëve në ngjarje.

NGJARJA

Krimi i rëndë ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Briselda Gjikola, dhe u plagos Erion Bengo ndodhi dje rreth orës 18:17 në Laprakë.

Çifti, që ishte në një lidhje prej pak javësh, ishin në mjetin tip ‘Benz A Class’ më targë AA 226 MS, ngjyrë gri, kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tyre.

Për pasojë të rinjtë u plagosën, ndërsa vajza ndërroi jetë në spital. Aktualisht Bengo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plumba në qafë dhe shpatull.