AKTUALITET, 23 Shtator 2018, 20:20

Atalanta shtang në fund Milanin, ekipet ndahen me nga një pikë

Atalanta shtang në fund Milanin, ekipet ndahen me nga një pikë

Përballja midis Milanit dhe Atalantës ka përfunduar në një barazim 2-2. Rezultat ky që kënaq së tepërmi ekipin mik, ndërsa skuadra e drejtuar nga Gatuzo merr barazimin e dytë radhazi në një ndeshje ku fitorja ishte detyrim ndaj tifozëve të shumtë, por edhe për objektivat e klubit, ku këtë vit synohet një vend që të çon në Champions me doemos

Ndeshja nisi në mënyrën më perfekte për ekipin e Gatuzos, teksa u deshën vetëm 80 sekonda për të dërguar në delir tifozët kuqezinj. Gonzalo Higuain shënon golin e tretë në tre ndeshjet e fundit dhe të parin në “San Siro”.

Një pjesë e parë që më pas vijoi e ekuilibruar dhe çoi në pushim skuadrat me shifrat 1-0. Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime tek miqtë, të cilët sollën ndryshim. Ishte pikërisht një asist i të sapo futurit Duvan Zapata, i cili çoi te goli kapitenin e bergamaskëve Gomez. Pas golit iu deshën vetëm 7 minuta kuqezinjve të Gatuzos për të reaguar. Një dalje e Susos nga krahët, i cili asiston për Bonaventurën që shënon golin e “ish”-it. Në pjesën e mbetur të lojës skuadra e Gasperinit u mundua të barazonte shifrat, por Milani po administronte me kujdes lojën duke bllokuar sulmet e Atalantës, derisa një pakujdesi në zonën e rreptësisë u shfytëzua në maksimum nga argjentinasi Rigoni që barazoi shifrat në kohën shtesë.