AKTUALITET, 28 Maj 2018, 12:24

Arrestohet në Kosovë dëshmitari ‘X’ Albert Veliu

Arrestohet në Kosovë dëshmitari ‘X’ , Albert Veliu. Burime  pohojnë se ‘Babalja’ është arrestuar në Kosovë me urdhër të prokurorisë së Krimeve të Rënda të Shqipërisë. Pas daljes së videos dy javë më parë, Veliu tentoi të largohet nga vendi, por u ndalua në Kukës. Por pas marrjes në pyetje, ai është larguar nga Shqipëria dhe sot bëhet e ditur se është ndaluar në Kosovë.

Partia Demokratike, pretendon se një bisedë mes Albert Veliut dhe Agron Xhafajt, tregon se ky i fundit ka vijuar trafikun e lëndëve narkotike, edhe kur vëllai i tij mbante detyrën si Ministër i Brendshëm.

Prokuroria e ka dërguar regjistrimin për ekspertim jashtë vendit. Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri pretendojnë se ky audio përgjim është i manipuluar, ndërsa Partia Demokratike i qëndron versionit të saj, se përgjimi tregon përfshirjen e Agron Xhafajt në trafikun e drogës dhe kërkon largimin e menjëhershëm të ministrit.