AKTUALITET, 5 Dhjetor 2020, 12:11

Arrestohen shtatë persona në Tiranë, policia jep detajet

Arrestohen shtatë persona në Tiranë, policia jep detajet


Policia ka arrestuar shtatë persona në Tiranë. Uniformat blu të kryeqytetit bëjnë me dije se njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, ndërsa të tjerë janë vënë në pranga pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i plotë i policisë:

Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit F.P., 42 vjeç, pasi në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ka kundërshtuar me dhune dhe goditur për shkak të detyrës punonjësin e policisë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.S., 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja”, e mbetur në tentativë, pasi në bulevardin “Bajram Curri”, dyshohet se duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike, nuk i është bindur urdhërit të punonjsve të policisë për të ndaluar, duke tentuar të largohej. Në momentin e kapjes, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për të shmangur shoqërimin e tij në Komisariat.

Specialisët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, bënë ekzekutimin e vendimit për shtetasin në kërkim Islam Sherra, sepse Gjykata e Apelit Tiranë, në bashkim të denimeve për herë të shtatë e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet burg, për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

  • L.T., 31 vjeç, pasi në rrugën “Kastriotët”,

u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatese ;

  • V.N., 38 vjeç, F.A., 42 vjeç dhe K.H., 26 vjeç, pasi u kapën në flagrancë nga sherbimet e Policisë duke drejtuar mjetet në gjendje të dehur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.