AKTUALITET, 5 Dhjetor 2020, 10:27

“Kemi gati skenarët në varësi të vaksinës që do të vijë në Shqipëri”/ Ogerta Manastirliu: Ja si po bëhet rimbursimi i barnave në banesë

“Kemi gati skenarët në varësi të vaksinës që


Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore nr. 2 në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se vazhdon vaksinimi falas kundër gripit i grupeve në riks në të gjitha qendrat shëndetësore, duke e konsideruar këtë një ushtrim të mirë në pritje të ardhjes së vaksinës anti-covid.

Gjatë bashkëbisedimit me mjekët ajo u shpreh se në varësi edhe të llojit të vaksinës që do të vijë kemi gati edhe skenarët për çdo vaksinë.

“Vaksinimi kundër gripit në një sasi kaq të madhe për një periudhë të shkurtër kohore, ku po vaksinojmë 368 mijë qytetarë, është sigurisht një ushtrim parapërgatitës edhe për sa i përket vaksinës së Covid19. Sigurisht në momentin që ajo do të vijë në Shqipëri, do të garantojë gjithashtu edhe sigurinë edhe efektivitetin. Dhe padyshim në varësi edhe të llojit të vaksinës që do të vijë kemi gati edhe skenarët për çdo vaksinë sipas llojit dhe karakteristikave që ajo ka”, tha Manastirliu.

Ministrja u ndal edhe te rimbursimi i barnave në banesë, duke shpjeguar procesin. Ajo tha se është siguruar financimi i plotë për paketat e trajtimit ambulator falas për pacientët që trajtohen në shtëpi.

“Rimbursimi 100% dhe financimi nga shteti për paketën e trajtimit me barna për të gjithë qytetarët të cilët kanë forma të lehta dhe të moderuara të sëmundjes, është një tjetër hap drejt mbështetjes së qytetarëve, drejt angazhimit dhe kujdesit që qeveria shqiptare ka për gjithë qytetarët shqiptarët”, tha Manastirliu.

Duke folur për lehtësinë e përfitimit të barnave në banesë, mundësuar falë sistemit elektronik në rrjetin e qendrave shëndetësore, Manastirliu tha:

“Është lehtësia që ne tashmë kemi vendosur jo vetëm për diagnozën Covid19 por edhe për diagnoza të tjera në sistem, që mundëson rimbursimin e shpejtë. Në fakt gjatë gjithë periudhës së pandemisë qytetarëve të cilëve i’u është dashur që të marrin barna me rimbursim, i kanë marrë pikërisht nëpërmjet kodit elektronik dhe vendosjes në lidhje direkte të mjekut të familjes, qytetarit dhe farmacisë”, u shpreh ministrja.

“Rimbursimi i barnave në banesë është mundësuar me financimin 100% nga shteti për të gjithë qytetarët e diagnostikuar me COVID19, qofshin të siguruar ose jo, për format e lehta dhe të moderuara të sëmundjes. Rimbursimi kryhet nga mjeku i familjes, përmes sistemit elektronik. Qytetarët që nuk e kanë lidhjen me mjekun e familjes, mund të njihen duke telefonuar në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë”, vijoi ajo.