SPORT, 17 Nëntor 2020, 22:32

Anglia shumë e fortë për Shpresat kuqezi, fiton me goleadë dhe na lë në vendin e tretë

Anglia shumë e fortë për Shpresat kuqezi, fiton me goleadë

Shpresat kuqezi vinin pas tre fitoreve radhazi dhe me një moral mjaft të lartë e besim për sukses, por në “Molineux Stadium” nuk pati fare histori, pasi Anglia U21 e mbushur me futbollistë që luajnë në nivele të larta dominoi totalisht.

Sulmuesi i Chelsea-t Hudson-Odoy zhbllokoi sfidën që në minutën e 5-të, ndërsa në të 26-ën ishte mbrojtësi i Leicester Justin James që dyfishoi shifrat, para se mesfushori i Bayern Mynih Jamal Musiala të shënonte golin e tretë që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë protagonist ishte sulmuesi i Arsenalit Edward Nketiah që shënoi edhe dy herë të tjera në portën e kuqezinjve, por gaboi edhe një 11-metërsh, ndërsa me këtë sukses Anglia U21 i mbylli eliminatoret në vendin e parë me 28 pikë nga 30 të mundshmet.

Në vendin e dytë u rendit Austria U21, që mbrëmjen e sotme triumfoi 4-0 ndaj Andorrës, ndërsa Shqipëria e mbylli fushatën eliminatore në vendin e tretë me 14 pikë, një më tepër se Turqia dhe pesë më tepër se Kosova.