TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ruben Amorim pritet të debutojë në Serie A në pankinën e Milanit, në përballjen ndaj Torinos. Trajneri portugez nuk i fshehu emocionet përpara sfidës, duke pranuar se ndien një kombinim mes besimit, emocionit dhe nervozizmit.
Në konferencën për shtyp, Amorim u shfaq i qartë për objektivat e tij. Ai theksoi se Milani duhet të synojë fitoren në çdo ndeshje, por paralajmëroi se ndërtimi i skuadrës kërkon kohë.
“Gjëja më e rëndësishme është që të jemi Milani. Nuk mund të mendojmë për krahasimet me të kaluarën, por duhet të mendojmë si grup. Duam të kemi më shumë zotërimin e topit dhe kjo do të duket menjëherë. Objektivi është të çojmë sa më shumë lojtarë në zonën kundërshtare dhe të mbrohemi mirë. Nuk pres që ta shoh produktin final që nesër, por po ndërtojmë një projekt”, u shpreh Amorim.
Trajneri portugez u pyet edhe për Rafael Leaon dhe merkaton e transferimeve, por preferoi të mos shpërqendrohej nga sfida e radhës. “Leao në këtë moment nuk është i rëndësishëm, ashtu siç nuk është e rëndësishme të flasim për merkaton. Ajo që ka rëndësi është ndeshja me Torinon. Sigurisht që ai nuk do të jetë në këtë ndeshje, ndaj do të shohim në të ardhmen”, tha ai.
Amorim vuri theksin te nevoja që lojtarët e Milanit të krijojnë një grup të bashkuar. “Kanë ardhur futbollistë me kualitete dhe që mund të rriten. Kjo është e rëndësishme për një projekt. Ajo që na mungon tani është të jemi skuadër, të jemi një familje. Nuk mjafton të kesh futbollistët më të mirë për të fituar ndeshje. Talenti nuk na mungon, por tani është e nevojshme të bëhemi skuadër.”
“Torino është skuadra më e mirë në botë”. Amorim përdori edhe një dozë ironie për të rritur përqendrimin e lojtarëve të tij përpara sfidës me Torinon.
“Vitin e kaluar Milani bëri ndeshje të mëdha kundër skuadrave të elitës, ndërsa ndaj skuadrave më të vogla vëmendja ra. Për këtë arsye, tani është Torino, skuadra më e mirë në botë. Duhet të jemi të aftë t’i mposhtim këto skuadra duke ndërtuar një mentalitet.” Sipas tij, pikërisht mungesa e vazhdimësisë i kushtoi Milanit sezonin e kaluar një vend në Champions League. “Vitin e kaluar e humbëm zonën Champions në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit.”
Interi favorit për titullin
I pyetur për skuadrat që sheh si pretendente për titullin, Amorim veçoi Interin dhe përmendi edhe Gasperinin e Comon. “Mund të thuhet se Interi ka një identitet që nis që nga Simone Inzaghi dhe është skuadra më e përgatitur. Pastaj është Gasperini, që e njeh të gjithë kampionatin. Como ka shpejtësi dhe forcë, por ata nuk kanë përgjegjësinë tonë. Ne e kemi dhe kjo mund të kushtëzojë disa futbollistë.”
Në fund, Amorim pranoi hapur emocionet që e shoqërojnë në prag të debutimit.
“Jam i emocionuar për nisjen e këtij sezoni, por në të njëjtën kohë edhe në ankth. Besoj se kjo është normale. Kam besim sepse djemtë po punojnë mirë dhe po bëhemi një skuadër. Presioni është i njëjtë me atë që kam pasur edhe në klube të tjera, që nga kategoria e tretë.”, tha ai.