TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas shpërthimit të çantës së dyshimtë në zonën e Akademisë së Platonit, në Athinë, ku mbetën të plagosur katër persona, një tjetër çantë e dyshimtë është gjetur në qytetin port të Pireut.
Çanta e parë shpërtheu në momentin kur efektivët e policisë e hapën për ta kontrolluar, duke plagosur dy policë dhe dy civilë. Ngjarja ka rritur gatishmërinë e autoriteteve greke, ndërsa zbulimi i objektit të dytë të dyshimtë ka nxitur masa të menjëhershme sigurie.
Pas njoftimit, në vendngjarje në Pire mbërriti një ekip i Departamentit të Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (TEEM), i cili nisi kontrollin e valixhes së braktisur për të përcaktuar nëse ajo përbënte rrezik.
Zona u rrethua menjëherë nga forcat e sigurisë, të cilat janë në gatishmëri të shtuar pas shpërthimit të mëparshëm në një pallat banimi në zonën e Akademisë së Platonit, në kryeqytetin grek.
Pezullohet qarkullimi në disa rrugë të Pireut
Sipas njoftimit të Policisë Helenike, për arsye sigurie u pezullua qarkullimi i automjeteve në kryqëzimin e rrugëve Iroon Polytechniou dhe Karaoli & Dimitriou.
Më pas, kufizimet u zgjeruan edhe në rrugën Tsamadou, nga kryqëzimi me rrugën Notara deri në nivelin e rrugës Karaiskou.
Në zonë u vendosën edhe efektivë të policisë rrugore, të cilët devijuan automjetet drejt rrugëve alternative. Masat shkaktuan trafik të rënduar në rrugët përreth.
Deri në sqarimin e plotë të situatës, autoritetet po vijojnë kontrollet për të përcaktuar natyrën e valixhes së gjetur në Pire dhe nëse ajo përmban lëndë shpërthyese.
Zbulimi i objektit të dytë të dyshimtë vjen në një moment kur policia greke ka shtuar masat e sigurisë pas shpërthimit në Athinë, ndërsa nuk ka ende të dhëna zyrtare që të konfirmojnë nëse dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.