TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Monedha evropiane vijon rënien pa ndalim. Madje duket se nuk do të ketë masë për të frenuar këtë fenomen.
Për ministren e Financave Delina ibrahimaj, shkak nuk është paraja informale dhe as situata zgjedhore.
“Zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut është i lidhur me hyrjet e të ardhurave që kemi pasur gjatë vitit 2022. Kemi pasur gjatë vitit 2022 një sezon turistik të lartë dhe me një fluks turistësh që ka qenë më i larti i të gjitha kohërave. Kjo ka bërë që hyrjet e kapitalit të jenë më të larta dhe kjo është reflektuar në bilancin e pagesave.
Nga ana tjetër edhe investimet e huaja direkte neto janë rritur dhe kjo ka qenë një tjetër arsye që ka ndikuar në vlerësimin e monedhës vendase dhe në zhvlerësimin e euros. Pra flukset hyrëse të monedhës kanë qenë në rritje të ndikuara dhe nga rritja e turizmit, investimeve të huaja direkte, por dhe nga rritja e remitancave”, deklaroi Ibrahimaj, në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas saj, paraja informale në treg ekziston dhe kjo është e pranuar edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë, por kjo situatë nuk lidhet me fushatën elektorale.
“Paraja informale ekziston, Banka e Shqipërisë ka një matje dhe një indikator për paranë jashtë bankave, edhe nuk është i lidhur me fushatën elektorale dhe nuk ka një element shtesë këtë vit”, shtoi ajo.
Sa i përket apelit të eksportuesve se po pësojnë humbje për shkak të forcimit të parasë, edhe në këtë pikë Ibrahimaj mendon të kundërtën.
"Kursi i këmbimit i lirë në krizat e njëpasnjëshme që na është dashur të kalojmë ka qenë element kyç për ekonominë shqiptare, pasi është stabilizues i të gjitha goditjeve që kemi pasur. Nëse do të shikojmë performancën e ekonomisë shqiptare me atë të Maqedonisë së Veriut, Shqipëria ka një performancë shumë të mirë dhe një nga elementët ka qenë pikërisht tregu i lirë.
Por, ne po analizojmë me shumë kujdes ndikimet. Nuk preken vetëm kompanitë eksportuese, por edhe ato investuese që kanë kredi në euro. Ka një sërë kompanish të tjera që operojnë në treg dhe i kanë kreditë në lekë“, deklaroi ministrja.
Sa i përket problemit të emigracionit të lartë, Ibrahimaj ka prezantuar skemën për mbështetjen e të rinjve.
”Kjo është një politikë që qeveria shqiptare po ndërmerr për të përmirësuar kushtet e tregut të punës, për të pasur një ofertë pune më cilësore, për të rritur standardin e ofertës së punës. Oferta e punës, tregu i punës dhe konkurrueshmëria e vendit nuk mund të varet më nga kostoja e lirë punëtore, por duhet të lidhet me aftësitë e tregut të punës në vend”, deklaroi Ibrahimaj.
Në Shqipëri këtë të enjte një euro blihej me 110.7 lekë e shitej me 111.3. Në dy dekadat e fundit, ka qenë gushti i vitit 2005 dhe janari i 2008 që shënuan rënien e euros në nivelin e 121 lekë por sërish shumë larg situatës aktuale.