AKTUALITET, 11 Maj 2023, 15:34

Zhvlerësimi i euros, Ibrahimaj: Ngrirje e kësteve të tatimfitimit dhe rimbursim brenda 3 ditësh i TVSH-së për eksportuesit

Zhvlerësimi i euros, Ibrahimaj: Ngrirje e kësteve të tatimfitimit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj prezantoi sot planin e masave në mbështetje të kompanive eksportuese, në kushtet e emergjencës së efekteve nga zhvlerësimi i euros.

Në një deklaratë për mediet, në prani edhe të përfaqësuesve të kompanive të eksportit, Ibrahimaj deklaroi se, qeveria do të miratojë një Akt Normativ, përmes së cilit do të vendoset ngurtësimi i parapagimit të kësteve të tatimfitimit për kompanitë që eksportojnë më shumë se 70 % të prodhimit të tyre.

“Të ardhurat e eksportuesve kanë ardhur në reduktim, ndërkohë që shpenzimet e tyre edhe mund të jenë rritur. Kemi vendosur që MFE me qëllim dhënien e një zgjidhjeje afatshkurtër për rritjen e likuiditeteve të kompanive eksportuese, të ngurtësojë parapagimin e kësteve të tatimfitimit për kompanitë që eksportojnë më shumë se 70 % të prodhimit të tyre. Për këtë qeveria ka përgatitur një Akt Normativ që do të miratohet shpejt”, tha Ibrahimaj.

Tjetër masë që do të ndërmerret nga qeveria në mbështetje të eksportuesve është rimbursimi i TVSH brenda 3 ditëve, kërkesë kjo edhe e eksportuesve.

“Rimbursimi i TVSH-së, që merret nga eksportuesit pranë Administratës Tatimore, i cili në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve, ka afat 30-ditor nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, do të kryhet në një afat të shpejtë, brenda 3 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Kjo për kompanitë që eksportojnë mbi 70 % të prodhimit të tyre”, u shpreh ministrja.

Nga ana tjetër, ajo informoi për ngritjen e grupit të përbashkët të punës mes MFE, Bankës së Shqipërisë dhe eksportuesve, me qëllim analizimin më tej të situatës dhe kryerjen e parashikimeve të ndikimeve nga zhvlerësimi i euros dhe hartimin e masave të reja.

Ibrahimaj tha se, edhe disa nga masat e propozuara nga Shoqata e Bankave mund të jenë një instrument i dobishëm.

“Disa masa të paraqitura nga Shoqata e Bankave lidhen me krijimin e mundësive dhe për të pasur më shumë likuiditet, siç mund të jetë ristrukturimi i kredive, me qëllim që maturiteti i kredive të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen të paktën në afatshkurtër. Ndërkohë që një tjetër instrument i dobishëm mund të ishte dhe lidhja e kontratave “forward” ndërmjet bizneseve dhe bankave, për të pasur njëlloj sigurie mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen, për kontratat që do të lidhen. Këto dhe të tjerë instrumente do të diskutohen në takimet teknike në vijim”, tha Ibrahimaj.